Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare prof. Ymer Reka, një nga personat që kontribuoi në themelimin e KF Shkëndija dhe sekretari i parë i klubit tetovar.
Emri i Rekës lidhet me fillimet e klubit, ku ai ishte pjesë e grupit të intelektualëve dhe veprimtarëve tetovarë që u angazhuan për formimin dhe regjistrimin e Shkëndijës, në një periudhë të shoqëruar me vështirësi të shumta.
Ai vazhdoi të jetë i angazhuar me klubin edhe në vitet e mëvonshme. Gjatë rithemelimit të Shkëndijës në vitin 1991, Reka ishte pjesë e kryesisë dhe kontribuoi në aspektin organizativ dhe financiar.
Për vite me radhë, lokali i tij në qendër të Tetovës shërbeu si vendtakim për njerëz të afërt me klubin, ku diskutoheshin çështje të ndryshme dhe e ardhmja e Shkëndijës.
Me ndarjen e tij nga jeta, KF Shkëndija humb një nga figurat e lidhura me historinë dhe zhvillimin e hershëm të klubit tetovar.






