Që nga fillimi i sezonit të mushkonjave, në shtatë vende evropiane janë regjistruar më shumë se 240 raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor. Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rastet e raportuara janë infeksione të transmetuara lokalisht dhe nuk lidhen me udhëtime jashtë vendeve ku janë regjistruar.
Numri më i madh i rasteve është raportuar në Itali, me 139 të infektuar, ndërsa Greqia ka regjistruar 61 raste. Në Spanjë janë raportuar 17 raste, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 13.
Rumania ka raportuar gjashtë raste, Franca katër, ndërsa Gjermania një rast të transmetuar lokalisht. Nëse përfshihen edhe rastet e importuara, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara në Gjermani këtë vit arrin në pesë.
Sipas ECDC-së, gjithsej 59 zona në Evropë janë prekur nga virusi. Italia ka numrin më të madh të zonave të prekura, me 36 të tilla, kryesisht në pjesën veriore të vendit.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për rritjen e vigjilencës, pas raportimit të rasteve të etheve të Nilit Perëndimor në disa vende të Evropës Jugore.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndërsa në shumicën e rasteve infeksioni mund të mos shkaktojë simptoma ose mund të shfaqet me simptoma të lehta.






