uvendi Studentor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ka dorëzuar një kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, përmes së cilës kërkon që studentëve shqiptarë t’u mundësohet zhvillimi i provimeve profesionale edhe në gjuhën shqipe.
Kryetari i Kuvendit Studentor, Besar Sejdi, tha se gjatë dy viteve e gjysmë të fundit studentët kanë dorëzuar disa kërkesa dhe kanë organizuar dy protesta, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga institucionet.
Sipas tij, pas ndryshimit të ministrit të Drejtësisë, studentët kanë pritur që të ftohen në takim, por deri tani, siç tha ai, nuk ka pasur përgjigje.
“2 vite e gjysmë, dhjetëra kërkesa, 2 protesta të zhvilluara, zëvendësim i ministrave dhe përsëri sot gjendemi në të njëjtën situatë. Para Ministrisë së Drejtësisë po e bëjmë të njëjtën kërkesë, që të zbatohet Kushtetuta dhe ligji dhe studentëve shqiptarë t’u lejohet provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Sejdi.
Edhe studenti i juridikut, Jon Selimi, tha se studentët nuk e përjashtojnë mundësinë e organizimit të protestave të tjera nëse nuk marrin përgjigje nga institucionet.
“Njëherë do të presim përgjigje, të shohim çfarë hapash do të ndërmarrin dhe më pas do të shohim nëse duhet të organizohemi për protesta të tjera”, tha Selimi.
Ndërkohë, më 7 gusht, një nga nismëtarët e procesit, Mevlan Ademi, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të UEJL-së, Besjan Rexhepi, kanë ridorëzuar kërkesën që provimet profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Ata kanë theksuar se studentët shqiptarë duhet të kenë mundësi të barabarta për arsimim, certifikim dhe ushtrim të profesionit në vend.
Për kërkesat e studentëve, TV21 ka tentuar të marrë një qëndrim nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, por deri në publikimin e informacionit nuk ka marrë përgjigje.






