Tirana ndër qytetet më të shtrenjta për qira në raport me pagat

Advertisement

Tirana renditet ndër kryeqytetet europiane ku qiratë e banesave janë më pak të përballueshme në raport me të ardhurat. Sipas raportit të “Tradingpedia”, qiraja mesatare në kryeqytetin shqiptar në maj 2026 arriti në 710 euro në muaj, ndërsa të ardhurat mesatare neto ishin rreth 760 euro.

Sipas këtyre të dhënave, një individ me pagë mesatare do të duhej të shpenzonte rreth 93 për qind të të ardhurave mujore vetëm për qiranë.

Tirana renditet pas Lisbonës, ku qiraja mesatare prej 1,331 eurosh përbën rreth 99 për qind të të ardhurave mujore. Pas Tiranës renditet Kievi, ku qiraja mesatare prej 558 eurosh përfaqëson rreth 88 për qind të pagës mesatare neto prej 637 eurosh.

Edhe pse qiratë në Tiranë janë më të ulëta në vlerë krahasuar me disa qytete të tjera europiane, raporti mes qirasë dhe të ardhurave e bën strehimin më pak të përballueshëm. Në Porto, për shembull, qiraja mesatare është rreth 1,108 euro, ndërsa në Malaga rreth 1,195 euro.

Në Prishtinë, qiraja mesatare në maj ishte rreth 326 euro, ndërsa të ardhurat mesatare neto arritën në 583 euro. Kjo do të thotë se një individ do të shpenzonte rreth 56 për qind të të ardhurave për qira.

Ndërkohë, në Konstancë të Rumanisë, qiraja mesatare prej 531 eurosh përbënte rreth 64 për qind të të ardhurave mujore neto.

Ndryshimet në tregun e qirave afatshkurtra

Paralelisht me rritjen e kostove të strehimit, në Shqipëri po ndryshon edhe tregu i qirave afatshkurtra përmes platformave si Airbnb dhe Booking.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, gjatë vitit 2024 në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 8,472 individë dhe subjekte që kanë gjeneruar të ardhura nga dhënia e akomodimeve me qira përmes Airbnb.

Vlera totale e rezervimeve për këtë periudhë, sipas të dhënave zyrtare, ka arritur në rreth 3.8 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro, ndërsa komisionet e platformës kanë qenë rreth 167.5 milionë lekë.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje individëve dhe subjekteve që kanë përfituar të ardhura nga qiratë afatshkurtra që t’i deklarojnë ato në përputhje me legjislacionin tatimor.

Sipas autoriteteve tatimore, mosdeklarimi i të ardhurave mund të sjellë kontrolle dhe penalitete, ndërsa deklarimi i saktë është detyrim ligjor.

Në tregun e pasurive të paluajtshme, agjentët vlerësojnë se një pjesë e pronarëve që kanë një ose dy apartamente po orientohen drejt qirave afatgjata, ndërsa qiratë ditore po përqendrohen gjithnjë e më shumë te agjencitë dhe operatorët profesionalë.

Administrata Tatimore ka ndërmarrë gjithashtu masa për identifikimin e personave që japin prona me qira në platformat digjitale. Për këtë qëllim, të dhënat mbi rezervimet dhe komisionet e platformave po krahasohen me deklarimet tatimore, me synim identifikimin e të ardhurave të padeklaruara.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit