Bizneset zënë trotuaret në Tetovë, Komuna paralajmëron kontrolle më të shpeshta

Advertisement

Zënia e trotuareve nga bizneset dhe lokalet në Tetovë po vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve. Tavolina, karrige, frigoriferë, mallra dhe pajisje të ndryshme në disa pjesë të qytetit zënë hapësirat e dedikuara për këmbësorët.

Problemi është veçanërisht i theksuar për personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit që lëvizin me karroca për fëmijë. Qytetarët ankohen gjithashtu për automjetet e parkuara në trotuare.

Një nga zonat ku kjo dukuri është më e theksuar është pjesa nga rrethrrotullimi te vendi i njohur si “Ëmbëltorja Taksi” deri te Xhamia e Pashës, ku në disa raste hapësirat e trotuareve janë të zëna nga pajisje dhe mallra të bizneseve.

Nga Komuna e Tetovës thonë se janë në dijeni për problemin dhe paralajmërojnë kontrolle më të shpeshta, si dhe një fushatë sensibilizuese.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se inspektorati komunal do të angazhohet për largimin e pengesave që vështirësojnë lëvizjen e qytetarëve.

“Komuna në vazhdimësi ndërmerr masa. Inspektorati çdo ditë është në terren dhe ne mundohemi të ballafaqohemi me këtë dukuri. […] Inspektorati është në terren, largon, në disa raste edhe konfiskon mallrat dhe pajisjet që e bllokojnë rrugën”, deklaroi Kasami.

Sipas rregullave në fuqi, në rastet kur trotuaret zihen pa leje ose tejkalohet hapësira e lejuar, inspektorati mund të kërkojë largimin e pajisjeve dhe të shqiptojë sanksione.

Në disa raste të mëparshme, lokaleve u është dhënë afat për largimin e tavolinave dhe karrigeve të vendosura në mënyrë të parregullt në trotuare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit