Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar se presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk ka marrë pjesë në vendimin për emërimin e Kiro Todorovskit si përfaqësues i Agjencisë së Inteligjencës në Vjenë.
Todorovski, sipas të dhënave të publikuara, kishte një dënim me kusht për parregullsi zgjedhore në rastin “Titanik”. Pavarësisht kësaj, ai më pas ishte rikthyer në Agjencinë e Inteligjencës dhe ishte pajisur me certifikatë për qasje në informacione të klasifikuara, ndërsa më pas ishte dërguar në Vjenë.
Pas reagimeve nga opozita dhe interesimit të opinionit publik, Presidenca për TV24 ka sqaruar se vendimi për emërimin e përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës merret brenda vetë Agjencisë dhe nënshkruhet nga drejtori i saj.
Nga Kabineti i presidentes theksojnë se, sipas Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës, ajo është organ i veçantë i administratës shtetërore, ndërsa drejtori i ushtron në mënyrë të pavarur detyrat dhe kompetencat e Agjencisë.
Sipas Presidencës, drejtori i Agjencisë, dhe jo presidentja, nënshkruan vendimin për përzgjedhjen e përfaqësuesit të saj në një përfaqësi diplomatike-konsullore. Më pas, ministri i Punëve të Jashtme merr vendimin për dërgimin e tij në mision.
Presidenca gjithashtu rikujton se Kuvendi ushtron mbikëqyrje mbi punën e Agjencisë së Inteligjencës përmes komisionit përkatës parlamentar.
“Dyshimet për veprim të kundërligjshëm të Agjencisë mund të verifikohen përmes inicimit të një procedure parlamentare të mbikëqyrjes së punës së Agjencisë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Për rastin ka reaguar më herët edhe partia Levica, e cila ka kërkuar sqarime nga presidentja dhe institucionet përkatëse. Nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar për TV24 se nuk shohin asgjë të diskutueshme në procedurën dhe procesin e klasifikuar.
Deri tani, sipas raportimit, nuk janë deklaruar konkretisht Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), Agjencia e Inteligjencës dhe Drejtoria për Sigurinë e Informacioneve të Klasifikuara.
Sipas të dhënave të publikuara, Gjykata Penale më 21 maj 2026 ka nxjerrë aktgjykim ndaj Todorovskit. Ai ishte dënuar me dy vite burgim me kusht dhe periudhë prove prej pesë vitesh, ndërsa vendimi ishte bërë i plotfuqishëm më 18 maj 2023.
Sipas këtyre të dhënave, dënimi ishte ende i evidentuar në kohën kur Todorovski ishte rikthyer në Agjencinë e Inteligjencës, ishte pajisur me certifikatë për qasje në informacione të klasifikuara dhe ishte dërguar në Vjenë.






