Prokuroria me procedurë të shkurtuar ndaj 46-vjeçarit të përfshirë në aksidentin fatal në Radishan

Advertisement

Prokuroria Themelore Publike po zhvillon procedurë të shkurtuar ndaj një 46-vjeçari nga Haraçina, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në aksidentin e rëndë në Radishan, ku humbi jetën një 19-vjeçar.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka qenë pjesëmarrës në aksident dhe pas përplasjes është larguar nga vendi i ngjarjes pa u ofruar ndihmë personave të lënduar.

Sipas njoftimit, 46-vjeçari po drejtonte automjetin “Seat Altea” në rrugën “Radishan”. Në kryqëzimin me rrugën “18”, ku trafiku nuk është i rregulluar me sinjalistikë, ai dyshohet se është kthyer majtas pa u dhënë përparësi automjeteve që vinin nga drejtimi i kundërt.

Prokuroria thotë se në këtë mënyrë automjeti ia ka prerë rrugën një motoçiklete “Kawasaki”. Për të shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë me “Seat Altea”, motoçiklisti ka kthyer majtas dhe ka kaluar në korsinë e destinuar për automjetet që lëviznin në drejtim të kundërt.

Në atë moment, sipas Prokurorisë, motoçikleta është përplasur me pjesën e përparme në automjetin “Alfa Romeo”, i cili po vinte nga drejtimi i kundërt.

Nga fuqia e përplasjes, motoçiklisti Nikolla Makraçevski ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë. Drejtuesi i automjetit “Alfa Romeo” ka pësuar lëndime më të lehta.

Prokuroria thekson se i dyshuari, në vend që t’u ofronte ndihmë të lënduarve, është larguar nga vendi i aksidentit.

Për sigurimin e pranisë së të dyshuarit gjatë procedurës, prokurori publik ka propozuar caktimin e masave të kujdesit, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi, detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë, marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe patentë-shoferit.

Hetimi për rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësinë eventuale të personave të përfshirë po vijon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit