VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj kritikave të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, lidhur me videon e publikuar me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Nga VMRO-DPMNE thonë se videoja përcjell, sipas tyre, një mesazh bashkues dhe akuzojnë LSDM-në se po e politizon përmbajtjen.
Në reagimin e partisë shtrohet pyetja se përse LSDM-së i pengon përfshirja në video e presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov, duke theksuar se ai ishte zgjedhur në mënyrë konsensuale.
VMRO-DPMNE kritikon gjithashtu qëndrimin e Filipçes lidhur me mungesën e përmbajtjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në NATO. Nga partia thonë se në të njëjtën kohë LSDM-ja nuk e përmend ndryshimin e emrit të shtetit.
Në reagim përmendet edhe mungesa e përmbajtjeve që lidhen me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe debatet për kontributin e partive dhe politikanëve gjatë 35 viteve të pavarësisë.
Nga VMRO-DPMNE thonë se videoja është përqendruar në, siç e vlerësojnë ata, aspektet pozitive të periudhës së pavarësisë, ndërsa për periudhat që i konsiderojnë negative përdorin kritika ndaj ish-qeverive të udhëhequra nga LSDM.
Partia e kritikon edhe mënyrën se si, sipas saj, Filipçe e ka politizuar videon dhe vlerëson se bëhet fjalë për një përmbajtje që duhet të shërbejë si përkujtim i pavarësisë së vendit.
Në përfundim, VMRO-DPMNE kritikon ashpër udhëheqjen aktuale të LSDM-së dhe pretendon se ajo nuk është në gjendje t’i tejkalojë ndarjet partiake.
Reagimi i VMRO-DPMNE-së vjen pas kritikave të Filipçes për videon e publikuar me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë.






