Gani Geci ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe deputetes Albulena Haxhiu, duke pretenduar se veprimet ose mosveprimet e tyre mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Kosovës.
Geci thotë se, pas leximit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, ka ngritur dyshime për përgjegjësinë e Kurtit dhe Haxhiut në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe institucionale.
“Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale”, ka shkruar Geci.
Ai ka bërë të ditur se kallëzimi do t’u drejtohet organeve kompetente të drejtësisë, të cilave do t’u kërkojë të hetojnë nëse veprimet ose mosveprimet e personave të përmendur përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale.
Në paralajmërimin e tij, Geci përmend Kurtin në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, ndërsa Haxhiun në cilësinë e personit që ka ushtruar funksione publike gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.
Ai gjithashtu thotë se kallëzimi mund të përfshijë edhe persona të tjerë përgjegjës që mund të identifikohen gjatë procedurës eventuale hetimore.
Deri në përfundimin e një procedure eventuale nga organet kompetente, pretendimet e ngritura nga Geci mbeten të pakonfirmuara.






