Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe deklaratës së tij se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën.
Në reagimin e saj, ministria e cilëson vizitën si të rëndësishme dhe thekson se dialogu është i mirëpritur, veçanërisht kur krijon mundësi për trajtimin e çështjeve të ndërlikuara.
Nga Tirana theksojnë se Shqipëria mbështet sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, por njëkohësisht edhe sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Çdo përpjekje për të bërë një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar”, thuhet në reagim.
Ministria shqiptare i referohet edhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se çështja e Kosovës ka rrethana të ndryshme historike, politike dhe ligjore nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Në reagim nënvizohet gjithashtu se Shqipëria mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivën e tyre evropiane. Sipas Tiranës, normalizimi i marrëdhënieve, që përfundimisht do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë, do të kontribuonte në stabilitetin dhe paqen në rajon.
Sa i përket vizitës së Zelenskyt në Serbi, ministria vlerëson se ajo para së gjithash i shërben interesave të Ukrainës, ndërsa çdo hap që e afron Serbinë me Evropën dhe e largon nga ndikimi rus konsiderohet pozitiv.






