Gjithsej 25 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar në territorin e Maqedonisë së Veriut deri në orën 07:30 të mëngjesit, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Nga numri i përgjithshëm, dy zjarre janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa 22 janë shuar.
Zjarret aktive janë në Gorno Lisiçe, në Komunën e Aerodromit, ku po digjen bimësi e ulët, pemë dhe misër, si dhe në dalje të Kriva Pallankës, ku është përfshirë nga zjarri një deponi.
Ndërkohë, zjarri mbi fshatin Zelenikovë, ku janë përfshirë pyje dhe bimësi e ulët, është vënë nën kontroll.
Sipas të dhënave të QMK-së, zjarre janë regjistruar edhe në disa lokacione të tjera në Shkup dhe rrethinë, si në Bërnjarcë, Vollkovë, Çiflik, Haraçinë dhe Studeniçan.
Zjarre të tjera janë shuar në zonën e Novacit, Dollenit, Prilepit, Çashkës, Velesit, Rosomanit, Strugës, Likovës, Vrapçishtit, Zhelinës, Gostivarit dhe Dellçevës.
Mes rasteve të regjistruara ka edhe zjarre në deponi, përfshirë deponinë në Kriva Pallankë, një deponi të egër pranë Dolna Belicës në Strugë dhe një deponi në Dellçevë.
QMK-ja vazhdon të monitorojë situatën dhe ndërhyrjet në terren, ndërsa kushtet e thata dhe temperaturat e larta mbajnë të pranishëm rrezikun për përhapjen e zjarreve në hapësira të hapura.






