Vala e të nxehtit po krijon vështirësi për personat që punojnë në ambiente të hapura, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe veprimtarive të tjera ku puna zhvillohet nën ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj diellit dhe temperaturave të larta.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) u ka bërë thirrje punëdhënësve që të zbatojnë masat e parapara për mbrojtjen e punëtorëve gjatë temperaturave të larta. Nga sindikata kërkojnë respektimin e rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe reduktimin ose ndërprerjen e punës në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
LSM kërkon gjithashtu që punëtorëve t’u sigurohen të gjitha mjetet dhe kushtet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta. Sindikata rikujton se duhet të zbatohen masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore për mbrojtje nga temperaturat ekstreme.
Liridon Xhemaili, avokat dhe njohës i sektorit të ndërtimit, thotë se periudha e verës është ndër periudhat më intensive për realizimin e punimeve ndërtimore, por temperaturat e larta kërkojnë masa shtesë për sigurinë e punëtorëve.
Sipas tij, aktiviteti në sektorin e ndërtimit zakonisht rritet gjatë periudhës kur kushtet atmosferike janë më të favorshme për punime, por temperaturat e larta imponojnë kujdes të shtuar, sidomos për personat që punojnë në ambiente të hapura dhe për ata që kanë probleme shëndetësore.
Xhemaili thekson se kompanitë duhet t’i marrin parasysh kushtet e motit dhe të zbatojnë rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve gjatë ditëve me temperatura të larta.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë valës së të nxehtit, duke rekomanduar që qytetarët të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj diellit në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, kur rreziku nga temperaturat e larta është më i madh.






