Dy dronë janë vërejtur mbi një bazë ushtarake të Bundeswehr-it në Mechernich, në perëndim të Gjermanisë, njoftuan forcat e armatosura gjermane.
Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 22:00, kur sistemet e sigurisë së bazës zbuluan dy dronë. Pas konfirmimit të pranisë së tyre, në terren u dërgua policia ushtarake.
Policia në Euskirchen ka nisur hetim për rastin, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura detaje se kush i ka kontrolluar dronët apo nga kanë ardhur.
Incidenti ndodhi vetëm dy ditë pasi në aeroportin Leipzig/Halle u gjet një dron i pajisur me eksplozivë. Pajisja u çaktivizua, ndërsa ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e cilësoi rastin si një “nivel të ri rreziku”.
Aeroporti Leipzig/Halle është një nga qendrat më të rëndësishme evropiane për transportin ajror të mallrave dhe përdoret edhe për mbështetjen logjistike të Ukrainës. Në aeroport operojnë gjithashtu avionë ukrainas të transportit “Antonov”.
Aty ndodhet edhe programi i NATO-s për transportin strategjik ajror, SALIS, i cili përdoret për transportin e pajisjeve drejt krahut lindor të Aleancës.
Në vitin 2024, në një qendër logjistike të të njëjtit aeroport shpërtheu një pajisje ndezëse, duke shkaktuar zjarr në një kontejner mallrash.
Zyrtarë perëndimorë të sigurisë kanë shprehur dyshime se incidenti mund të jetë pjesë e operacioneve të organizuara nga inteligjenca ruse. Rusia i ka mohuar akuzat, ndërsa ambasada ruse në Gjermani i ka cilësuar ato si pjesë të një “vale të re të histerisë antiruse në Gjermani”.






