Ministria e Ekonomisë dhe Punës vlerëson se për momentin nuk ka nevojë për vendosjen e masave të reja për kufizimin e çmimeve të produkteve ushqimore.
Vendimi vjen pasi Enti Shtetëror i Statistikës publikoi të dhënat sipas të cilave inflacioni vjetor në korrik ishte 2.3 për qind, ndërsa në nivel mujor 0.1 për qind.
Nga Ministria thonë se të dhënat zyrtare tregojnë lëvizje të qëndrueshme të çmimeve. Sipas tyre, çmimet e ushqimeve kanë shënuar ulje për të dytin muaj radhazi.
Rritja e kostos së jetesës gjatë korrikut, sipas Ministrisë, lidhet kryesisht me faktorë sezonalë. Rritja më e theksuar është regjistruar në transport, me 4.4 për qind, si dhe në kategorinë e rekreacionit, sportit dhe kulturës.
Ministria thekson se zhvillimet në treg do të vazhdojnë të monitorohen dhe se, në rast të rritjeve të pajustifikuara të çmimeve apo çrregullimeve në treg, do të ndërmerren masat përkatëse.
Ndërkohë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ka vlerësuar si sinjal pozitiv vazhdimin e trendit të uljes së inflacionit. Ajo theksoi se rritje janë regjistruar edhe në eksport, prodhim industrial, punësim dhe të ardhura tatimore në Buxhet.






