Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në komunën e Sarajit, ku një automjet është dëmtuar nga plumbat.
Sipas denoncimit në polici, rreth orës 04:00, R.Z. (25) nga fshati Gllumovë i Shkupit ka raportuar se ishte duke qëndruar me një shok në një automjet të parkuar, kur pranë tyre janë afruar dy persona me motoçikletë.
Sipas denoncimit, njëri prej tyre ka nxjerrë armë zjarri dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të automjetit, duke shkaktuar dëme materiale.
Nga incidenti nuk është raportuar për persona të lënduar.
Policia ka nisur hetimet dhe po ndërmerr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.






