Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar ambasadorët e vendit në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi.
Vendimet për përfundimin e mandateve diplomatike janë publikuar përmes tre dekreteve të veçanta presidenciale.
Sipas njoftimeve zyrtare, nga detyra është liruar Vasyl Kyrylych, ambasador i Ukrainës në Kroaci. Gjithashtu është përfunduar mandati i Volodymyr Shkurov, i cili ka shërbyer si ambasador në Shqipëri që nga viti 2020, si dhe i Oleh Herasymenkos, ambasador i Ukrainës në Mal të Zi.
Këto ndryshime diplomatike vijnë disa ditë pasi Zelensky shkarkoi edhe ambasadoren e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna.
Pas largimit nga detyra, Stefanishyna u përball me një procedurë gjyqësore, ku Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit i caktoi masë sigurie me garanci financiare. Ajo dyshohet për pasurim të paligjshëm dhe deklarim të rremë të pasurisë, akuza të cilat ajo i ka mohuar.






