Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) njoftoi se ka përforcuar masat teknike dhe operative për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike në zonat e Lezhës dhe Shëngjinit gjatë sezonit turistik.
Sipas OSSH-së, investimet e realizuara në rrjetin e shpërndarjes kanë rritur kapacitetin dhe besueshmërinë e furnizimit në një nga zonat me numrin më të madh të turistëve gjatë verës. Ndër përmirësimet kryesore është kalimi i rrjetit nga 10 në 20 kilovolt, duke rritur cilësinë e furnizimit me energji elektrike.
Kompania bën të ditur se janë investuar mjete edhe për modernizimin e kabinave elektrike, me qëllim rritjen e sigurisë së rrjetit dhe uljen e rrezikut të avarive gjatë periudhës së konsumit të lartë.
Po ashtu, në Shëngjin është vendosur një ekip në gatishmëri 24 orë, i cili ndërhyn në rast të defekteve, ndërsa qytetarët mund të raportojnë çdo problem përmes Dispeçerisë së Lezhës dhe kollsenterit qendror.
Sipas OSSH-së, deri më tani nuk janë regjistruar ndërprerje apo probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën e Shëngjinit, ndërsa masat e marra kanë siguruar shërbim të qëndrueshëm për banorët, bizneset dhe turistët gjatë sezonit veror.






