Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme, duke theksuar se procesi duhet të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar kushtetues.
Sipas KDI-së, seanca u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit për përfundimin e konstituimit të Kuvendit. Organizata vlerëson se mungesa e propozimit për kandidatin për kryetar të Kuvendit nga subjekti me numrin më të madh të deputetëve bëri që procedura të mos mund të vazhdonte.
KDI thekson se ndërprerja e seancës nuk përbën shkelje të afatit kushtetues, pasi ai ende nuk ka përfunduar, por rikujton se, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, procesi duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Organizata ka vlerësuar përpjekjet për dialog ndërmjet partive politike, por ka theksuar se konsultimet nuk e ndalojnë detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit brenda afatit ligjor.
“Dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese duhet të zhvillohen paralelisht”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas KDI-së, bisedimet për çështje të tjera politike, përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit, mund të vazhdojnë, por fillimisht duhet të përfundojë formimi i plotë i Kuvendit, në mënyrë që të fillojnë afatet kushtetuese për hapat e ardhshëm.
Në fund, KDI u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe deputetëve që të marrin përgjegjësinë dhe të kontribuojnë në përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.






