Një hap drejt hekurudhës historike: Mickoski paralajmëron realizimin e plotë të Korridorit 8

Advertisement

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se pas dy vitesh punë intensive është siguruar një kornizë e qartë financiare dhe teknike për realizimin e hekurudhës së Koridorit 8, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të një projekti strategjik për vendin.

Ai tha se gjatë dy viteve të fundit projekti është analizuar, optimizuar dhe përmirësuar, ndërsa është arritur edhe përparim në bisedimet me Bullgarinë. Sipas tij, të dyja vendet kanë marrë angazhim për ndërtimin e tunelit ndërkufitar, i cili do të financohet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Mickoski theksoi se për herë të parë ekziston një zotim i qartë nga pala bullgare për modernizimin e segmentit hekurudhor që lidh kufirin me Sofjen, duke krijuar kushtet që Koridori 8 të realizohet si një projekt i plotë.

Ai rikujtoi se në të kaluarën ekzistonte rreziku që Maqedonia të përfundonte vetëm gjysmën e tunelit pa garanci se lidhja hekurudhore do të vazhdonte në anën bullgare, ndërsa tani, sipas tij, është krijuar një perspektivë e qartë për përfundimin e të gjithë korridorit.

Kryeministri nënvizoi se gjatë zbatimit të projektit do t’i kushtohet rëndësi edhe mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë natyrore, duke falënderuar Qeverinë, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Financave, Infrastrukturën Hekurudhore dhe institucionet financiare evropiane për mbështetjen.

“Nga sot fillon pjesa më sfiduese – ndërtimi i 22 kilometrave të mbetur, një ndërmarrje e madhe inxhinierike që do ta shndërrojë këtë projekt në realitet”, deklaroi Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit