Ministria: Sistemi energjetik është stabil, rezervuarët e ujit janë rreth 70% të mbushur

Advertisement

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale njofton se po monitoron vazhdimisht gjendjen energjetike në vend, rajon dhe Evropë, duke theksuar se aktualisht nuk ka rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike për shkak të nivelit të ulët të ujërave në Evropë.

Sipas Ministrisë, rezervuarët hidroenergjetikë janë të mbushur rreth 70 për qind, gjë që mundëson menaxhim të qëndrueshëm të kapaciteteve dhe përmbushjen e nevojave aktuale për energji elektrike. Hidrocentralet vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm edhe në ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se gjatë muajit maj janë prodhuar 462.653 megavat-orë energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm. Ndërkohë, SHA ESM ka regjistruar rritje prej 76 për qind të prodhimit nga hidrocentralet dhe rreth 10 për qind nga centralet me erë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministria thekson se po vazhdojnë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, përfshirë fazën e dytë të parkut me erë “Bogdanci”, si dhe projektet fotovoltaike “Bitola 1”, “Oslomej 2”, “Bitola 2” dhe “Bitola 3”. Po ashtu, po zhvillohen sisteme për ruajtjen e energjisë me bateri dhe po modernizohet infrastruktura elektroenergjetike.

Në fushën e bashkëpunimit rajonal, po vazhdon realizimi i interkonektorit të gazit me Greqinë dhe përgatitjet për lidhjen me Serbinë. Ministria bëri të ditur gjithashtu se Maqedonia e Veriut është ftuar t’i bashkohet Korridorit Vertikal të Gazit, një iniciativë evropiane që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e furnizimit me gaz natyror.

Sipas Ministrisë, institucionet kompetente do të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit