Milloshoski: Demografia është lufta jonë e re për Maqedoninë

Advertisement

Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Millosheski, i cili e udhëhoqi delegacionin e Kuvendit në shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës në Krushevë, sot në fjalimin e tij nga Meçkin Kamen porositi se kryengritja sot nuk janë pushka dhe Topi i qershisë, por përgjegjësia për të krijuar familje dhe për të rritur fëmijë, ndërsa theksoi se demografia është lufta jonë e re për Maqedoninë.

“Krusheva – qyteti simbol i luftës për liri dhe shtetësi – sot ka disa herë më pak nxënës të klasës së parë sesa kishte në dekadat e kaluara. E njëjta situatë për fat të keq është edhe në Prilep, Strugë, Strumicë, Dibër dhe në Shkup. Çfarë vlere do të kenë monumentet, nëse nuk do të ketë duar fëmijësh që të vendosin lule para tyre? Çfarë vlere do të ketë gjuha maqedonase, nëse nuk do të ketë kush ta flasë dhe t’ua përcjellë nipërve e mbesave të veta? A do të kenë kuptim shkollat, nëse në to nuk do të dëgjohet zëri dhe gjallëria e fëmijëve? Kryengritja jonë nuk është pushka dhe Topi i qershisë, por përgjegjësia për të krijuar një familje dhe për të rritur gjenerata të përgjegjshëm. Demografia është lufta jonë e re për Maqedoninë. Demografia nuk është vetëm statistikë. Demografia është e qara e foshnjës dhe lotët e gëzueshëm të prindërve. Studentë të rinj që sjellin shpresë për sukses. Demografia është një familje plot me fëmijë dhe plot besim se lumturia është më e madhe kur ka më shumë motra dhe vëllezër në shtëpi”, u shpreh Milloshoski.

Ai tha se demografia nuk është vetëm një çështje sociale dhe ekonomike, por edhe një çështje të prioritetit personal, të lumturisë familjare dhe mbijetesës kombëtare.

“Mund të ndërtojmë salla sportive, kopshte dhe shkolla. Mund të krijojmë rritje dhe projekte të reja investimi. Por e gjithë kjo ka kuptim vetëm nëse ka të rinj të cilëve do t’ua lëmë. Për këtë shkak kujdesi për familjen, veçanërisht për nënat dhe fëmijët, nuk duhet të jetë temë e një mandati, një qeverie apo një partie. Demografia është temë që duhet të na bashkojë dhe të gjithë ne si individë dhe familje duhet të japim shembull personal se ajo për të cilën po flasim është vërtet ajo për të cilën qëndrojmë. Le të bashkohemi për më shumë shpresë, për më shumë familje, për më shumë nxënës të klasës së parë”, tha Miloshoski.

Ai theksoi se vetësakrifica e Pitu Gulit na ngarkon me një detyrim të qartë: të mos jemi gjenerata që trashëgoi një shtet, por la pas shtëpi të zbrazëta dhe shkolla pa nxënës.

“Pitu Guli, heroi që ra pikërisht këtu në moshën 38-vjeçare, nuk ishte vetëm idealist dhe revolucionar. Ai ishte bashkëshort dhe baba i katër fëmijëve. Ra duke mbrojtur pikërisht atë që kishte më të shtrenjtë – familjen dhe Atdheun. Ilindenasit mbollën një pemë, nën hijen e së cilës e dinin se, me shumë gjasë, nuk do të uleshin kurrë. Megjithatë, e mbollën. Për pasardhësit që do të vinin pas tyre. Kjo është madhështia e një brezi – jo vetëm në atë që krijon për veten, por edhe në atë që është i gatshëm t’u lërë atyre që ende nuk kanë lindur”, tha nënkryetari i Kuvendit.

Ai porositi se Ilindenasit nuk na lanë vetëm histori, por na lanë amanetin që ta ruajmë këtë Maqedoni të lirë dhe të rrisim pasardhës që do ta trashëgojnë dhe do ta zhvillojnë më tej.

“Mesazhi nga ky vend sot nuk i drejtohet vetëm së kaluarës dhe të rriturve. Ai u drejtohet edhe fëmijëve tanë. Të rinjve që kërkojnë vendin e tyre në botë dhe shpesh e gjejnë atë larg shtëpisë. Dhe emigrantëve anembanë botës që, kudo që jetojnë, ende e mbajnë Maqedoninë në zemrat e tyre. Detyra jonë nuk është t’i bindim të rinjtë të jetojnë në kujtimet historike. Detyra jonë është t’u lëmë atyre një vend, në të cilin mund të krijojnë kujtimet e tyre. Një vend në të cilin do të ndihen si të tyret. Një vend në të cilin mund të krijojnë familje dhe të rrisin fëmijët e tyre. Dhe ata që kanë shkuar jashtë shtetit – të kenë më shumë arsye për t’u kthyer një ditë. Është mirë që Maqedonia të jetë vendi nga i cili vijmë. Por është edhe më mirë që atdheu të jetë vendi ku kthehemi së bashku”, theksoi Miloshoski.

Ai tha se 123 vjet më parë, në këto shpate, njerëz me shumë më pak se ne guxuan të ëndërronin për shumë më tepër. Ai theksoi se ata nuk kishin shtet, shkolla, ushtri, kujdes shëndetësor, as garanci se do të fitonin, por kishin besim, guxim, e kishin Maqedoninë në zemrat e tyre.

“Ne sot kemi shtet. Kemi shkolla. Kemi ushtri, kujdes shëndetësor dhe Republikën tonë. Prandaj, përgjegjësia jonë është më e madhe, jo më e vogël. Nuk na kërkohet të bëjmë të njëjtat sakrifica si ata. Na kërkohet vetëm të jemi besnikë ndaj idealeve, të mos jemi egoistë dhe të ruajmë dhe përparojmë atë që ata krijuan. Një ditë të gjithë ne që qëndrojmë këtu sot do të jemi pjesë e së kaluarës. Dhe ndoshta ndonjë fëmijë që tani qëndron midis nesh do të qëndrojë përsëri në të njëjtin vend. Ai do të shikojë drejt Meçkin Kamenit. Do të kujtojë Pitu Gulin. Nikolla Karevin dhe ilindenasit e famshëm. Atëherë do të shtrohet pyetja që na qëndron para sot: A ishin ata thjesht krenarë për atë që bënë paraardhësit e tyre apo bënë diçka për të cilën pasardhësit e tyre mund të krenohen? Ky është borxhi i vërtetë ndaj Atdheut. Jo vetëm t’i këndojmë lavde, por të jemi të aftë ta mbindërtojmë”, tha mes tjerash Milloshoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit