Ali Ahmeti: Pa barazi nuk ka të ardhme evropiane për Maqedoninë e Veriut

Advertisement

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e 2 Gushtit – Ilindenit, ka deklaruar se fryma e Krushevës përfaqëson idealin e barazisë, respektit dhe bashkëjetesës mes të gjitha komuniteteve, por sipas tij, Maqedonia e Veriut sot po largohet nga ky ideal.
Ahmeti theksoi se në vend të partneritetit po rikthehet logjika e dominimit, duke shtuar se shqiptarët po margjinalizohen në institucionet shtetërore, administratë, diplomaci, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi dhe në proceset vendimmarrëse.
Ai vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit po përballet me përpjekje për t’u zbehur, duke përmendur, sipas tij, sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, dobësimin e mekanizmave për përfaqësim të drejtë dhe mbrojtje nga majorizimi, si dhe mosrespektimin e rezultateve të regjistrimit të popullsisë.
Ahmeti kritikoi edhe disa përfaqësues shqiptarë në pushtet, duke deklaruar se ata kanë zgjedhur nënshtrimin në vend të mbrojtjes së interesave të qytetarëve shqiptarë.
Në fund të mesazhit, ai theksoi se shqiptarët mbeten të përkushtuar ndaj një Maqedonie të Veriut të përbashkët, demokratike dhe evropiane, ku të gjithë qytetarët gëzojnë barazi, respekt dhe partneritet, si bazë për një shtet të fortë dhe një të ardhme të sigurt.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit