Daut Beqiri: Për 9 muaj në Haraçinë janë realizuar projekte të shumta, puna vazhdon me projekte të reja

Advertisement

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka publikuar një bilanc të punës për nëntë muajt e parë të mandatit të tij, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë projektesh dhe masash në interes të qytetarëve.

Sipas Beqirit, ka filluar ndërtimi i Qendrës Sportive, e cila përfshin stadiumin kryesor dhe stadiumin për stërvitje. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se një hapësirë e harruar është shndërruar në një Mega Park modern, ndërsa kanë nisur edhe punimet për ndërtimin e Sheshit të Dëshmorëve.

Në postimin e tij, Beqiri thekson se komuna ka siguruar projekte për rregullimin e shtratit të lumit Orllanicë me vlerë mbi 31 milionë denarë, si dhe për rregullimin e lumit Grushinë. Ai njofton edhe për formimin e Këshillit Lokal Rinor, të cilin e cilëson si të parin të këtij lloji në nivel shtetëror.

Më tej, Beqiri ka bërë të ditur se është lansuar aplikacioni “NPK Ambienti”, i cili u mundëson qytetarëve të raportojnë parregullsitë dhe deponitë ilegale.

Sipas tij, janë shlyer të gjitha borxhet komunale për familjet e dëshmorëve dhe ato janë liruar edhe nga pagesat e ardhshme. Gjithashtu, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë vetëm me një prind janë liruar nga pagesat në çerdhe.

Në fushën e kujdesit parashkollor, Beqiri thotë se janë siguruar vendime të përhershme pune për punonjësit e çerdhes, është organizuar përgatitja e ushqimit në çerdhe, si dhe është siguruar sigurimi shëndetësor për të gjithë punonjësit.

Ai ka njoftuar gjithashtu se janë asfaltuar Rruga 14, Rruga 14A, një pjesë e Rrugës 11, si dhe Rrugët 1 dhe 2 në fshatin Orllanicë, ndërsa procesi i asfaltimit, sipas tij, po vazhdon edhe në Rrugën 2 në fshatin Grushinë.

Beqiri thekson se është rregulluar kanalizimi për të zgjidhur problemet shumëvjeçare të ndotjes publike. Po ashtu, ai njofton se është themeluar Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve dhe është ndërtuar stacioni për selektimin e mbeturinave, të cilin e cilëson si të parin në nivel shtetëror.

Në fund të postimit, kryetari i Komunës së Haraçinës shprehet se puna nuk do të ndalet, duke theksuar se administrata komunale do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim dhe me projekte të reja në shërbim të qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit