Mickoski: Nuk do të lejojmë që Shkupi ta humbasë titullin “Kryeqytet Evropian i Kulturës”

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski ka hedhur poshtë kritikat e opozitës dhe të një pjese të organizatave të shoqërisë civile lidhur me zbatimin e projektit “Shkup – Kryeqytet Evropian i Kulturës”, duke vlerësuar se në opinion po qarkullojnë informacione të pasakta.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për mënyrën e financimit të projektit dhe përzgjedhjen e drejtuesve të fondacionit, Mickoski sqaroi se nuk bëhet fjalë për një institucion publik, por për një fondacion të krijuar posaçërisht për realizimin e këtij projekti.

Ai rikujtoi se iniciativa për projektin ka nisur rreth një dekadë më parë, por sipas tij, në vitet e kaluara nuk është bërë përparim i mjaftueshëm. Si rezultat, Qeveria është përballur me rrezikun që Shkupi të humbasë statusin e fituar si Kryeqytet Evropian i Kulturës.

“Ky është një projekt që ka filluar para dhjetë vitesh. Për fat të keq, për një periudhë të gjatë nuk është punuar sa duhet dhe ekzistonte rreziku real që, për herë të parë në histori, një qyteti t’i hiqej ky titull,” deklaroi Mickoski.

Sipas tij, zgjidhja ligjore që po përgatitet është në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane, duke shtuar se modele të ngjashme janë zbatuar edhe në vende të tjera.

Kryeministri theksoi se projekti bazohet në detyrimet e përcaktuara në dokumentin programor “Bid-book”, ku janë planifikuar aktivitetet që do të realizohen gjatë viteve 2027 dhe 2028.

Në fund, Mickoski nënvizoi se Qeveria do të sigurojë zbatim të plotë të procedurave ligjore dhe transparencë në çdo fazë të projektit, duke theksuar se nuk do të lejojë asnjë dyshim për ligjshmërinë e procesit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit