Ministri i Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Zlatko Perinski, kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov edhe mjekët nga Spitalit Klinik të Shtipit, së bashku me një delegacion të Bankës Botërore, shqyrtuan konceptin për përfundimin dhe pajisjen e plotë të kompleksit të ri spitalor.
Investimi i planifikuar, i vlerësuar në rreth 6,7 miliardë denarë, përkatësisht 109 milionë euro, duhet t’i japë fund pritjes shumëvjeçare dhe t’i sigurojë Maqedonisë Lindore një qendër shëndetësore rajonale bashkëkohore.
Projekti parashikon përfundimin e objektit kryesor spitalor, pajisjen me aparaturë moderne mjekësore dhe lidhjen funksionale të të gjitha reparteve.
“Përfundimi i Spitalit Klinik të Shtipit është një detyrim ndaj qytetarëve të Maqedonisë Lindore. Synojmë që pacientët këtu të marrin shërbime shëndetësore në kohë dhe cilësore, ndërsa punonjësit shëndetësorë dhe studentët të kenë kushte bashkëkohore për punë, mësim praktik dhe zhvillim profesional”, theksoi ministri Klekovski.
Spitali Klinik i Shtipit është qendra e vetme klinike rajonale në pjesën lindore të vendit. Ai u shërben drejtpërdrejt rreth 150.000 qytetarëve, ndërsa zona e tij më e gjerë e mbulimit përfshin afërsisht 250.000 banorë.
Me përfundimin e kompleksit, pacientët do të kenë diagnostikim, trajtim dhe ndihmë urgjente mjekësore më cilësore, më pranë vendbanimit të tyre. Njëkohësisht, do të zvogëlohet numri i referimeve drejt Shkupit dhe do të krijohen kushte më të mira për zhvillimin dhe mbajtjen e kuadrit të ri mjekësor në rajon.
Me përfaqësuesit e Bankës Botërore u shqyrtuan hapat e ardhshëm – analizat teknike dhe financiare, modeli i financimit, dokumentacioni i projektit, si dhe mekanizmat për kontrollin e cilësisë, shpenzimeve dhe afateve.
Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Fondin, Komunën e Shtipit, Spitalin Klinik dhe institucionet e tjera kompetente, do të sigurojë transparencë dhe mbikëqyrje të rreptë në çdo fazë të projektit.
Spitali i ri Klinik i Shtipit do të nënkuptojë një sistem shëndetësor më të fuqishëm, më pak ngarkesë për Shkupin dhe shërbime shëndetësore cilësore më pranë qytetarëve të Maqedonisë Lindore.






