Mickoski: U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të cilëve u është kërkuar ryshfet, ta denoncojnë korrupsionin

Advertisement

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për podkastin „Rishtazi“, deklaroi se, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një organizatë ndërkombëtare joqeveritare me renome, do të hapet linja „Denonco korrupsion“, ku qytetarët, të cilëve u është kërkuar ryshfet, do të mund ta raportojnë atë.

„Ne kemi treguar dhe dëshmuar se jemi të gatshëm dhe të aftë të bëjmë reforma. Kjo u konfirmua me raportin e dhjetorit për Agjendën Reformuese, ndërsa do të konfirmohet edhe me raportin e qershorit, të cilin ia dorëzuam Bashkimit Evropian më 15 korrik. Sistemin, standardin dhe reformat i bëjnë njerëzit. Ja, e nisëm me Gostivarin, çfarëdo reforme të bëni, nëse keni njerëz të papërgjegjshëm që sillen në mënyrë të papërgjegjshme, atëherë ajo reformë është e kotë.

Nëse nuk e kuptojmë se gjithçka nis nga ne, atëherë mund të hartojmë reformat më të shkëlqyera në letër, t’i miratojmë në Qeveri dhe në Parlament dhe gjithçka mund të duket e përkryer por, nëse nuk ka kush t’i zbatojë dhe t’i pranojë, atëherë të gjitha ato reforma janë të kota për ne.

„Kur flasim për perceptimin rreth korrupsionit, do të ndaj me ju një moment. Para një kohe na u prezantua një anketë e realizuar nga një kompani me reputacion për nevojat e një institucioni të huaj me renome. Në atë anketë ishin përfshirë institucionet lokale dhe ato shtetërore. Në pyetjen nëse ka korrupsion në institucionin tuaj ose në shtet, 80 për qind u përgjigjën se po. Në pyetjen e dytë, nëse ju personalisht keni qenë objekt i korrupsionit ose njihni dikë që ka qenë, në nivel komunal më pak se 5 për qind e të anketuarve u përgjigjën pozitivisht, ndërsa në nivel qendror më pak se 3 për qind. Çfarë dua të them me këtë? Është krijuar një perceptim, të moshuarit tanë thonë ‘më mirë të të nxjerrin sytë, se sa llafe’. Pra, është krijuar një perceptim dhe askush nuk ka dilemë për këtë. Por, kur i pyet njerëzit për përvojën e tyre konkrete, do të shihni se sistemi funksionon ndryshe.

Prandaj, çfarë bëmë ne? Shpresoj që nga muaji gusht të fillojë të funksionojë. Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme dhe një organizatë ndërkombëtare joqeveritare me reputacion zhvilluam një takim, ku u dakorduam që kjo organizatë të udhëheqë procesin “Denonco korrupsion”. Ky proces do të shoqërohet me njoftime dhe afishe në të gjitha institucionet komunale dhe ato shtetërore“, tha ai dhe shtoi:

„Nëse njerëzit kanë krijuar një perceptim të tillë, nëse ky stereotip është i pranishëm, kjo do të thotë se ata nuk kanë besim te institucionet. Nëse është kështu, atëherë le të jetë kjo organizatë bartëse e procesit, ndërsa ne do ta mbështesim. Nëse e denonconi korrupsionin, atëherë ne do të mund të veprojmë por, nëse heshtni dhe nuk e raportoni, atëherë ne nuk mund të ndërmarrim veprime“.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit