Zulfiqar Zejnulla zgjidhet ministër pa resor, përmbyllet rikonstruktimi i Qeverisë

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski ka përmbyllur sot rikonstruktimin e paralajmëruar të Qeverisë. Kuvendi zgjodhi Zulfiqar Zejnullën, kryetar i Partisë Demokratike të Turqve, ministër pa resor.

Emërimi i tij vjen pasi Partia Demokratike e Turqve arriti marrëveshje koalicioni me VMRO-DPMNE-në. Pas kësaj marrëveshjeje, deputeti Bejxhan Iljas, i zgjedhur nga lista e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI-ja, iu bashkua shumicës parlamentare. Me këtë, shumica e udhëhequr nga VMRO-DPMNE tani numëron 59 deputetë, pa përfshirë partnerët e koalicionit qeverisës, VLEN dhe ZNAM.

Zgjedhja e Zejnullës u zhvillua veçmas nga emërimi i ministrave të tjerë të rinj, për të respektuar rregullin sipas të cilit kryeministri mund të propozojë zëvendësimin e jo më shumë se një të tretës së ministrave. Në të kundërt, procedura do të konsiderohej si zgjedhje e një qeverie të re.

Duke arsyetuar propozimin para deputetëve, Mickoski tha se institucionet duhet të drejtohen nga njerëz që mbajnë përgjegjësi dhe punojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, duke theksuar se vendit i nevojitet një politikë që bashkon, e jo që krijon ndarje.

Opozita, ndërkaq, vlerësoi se më e rëndësishme se përkatësia etnike e kandidatit është vizioni dhe kompetenca e tij për ta ushtruar funksionin, ndërsa emërimin e cilësoi si një tjetër marrëveshje politike.

Sipas biografisë zyrtare, Zejnulla ka përvojë në administratën publike dhe sektorin e sigurisë. Nga viti 2021 deri në vitin 2024 ka ushtruar detyrën e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Më herët ka qenë këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit dhe ka punuar në sektorin juridik të Partisë Demokratike të Turqve, ndërsa ka përvojë edhe në sektorin privat.

Zejnulla është i diplomuar në Kriminalistikë në Fakultetin e Sigurisë pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir. Ai, përveç gjuhës amtare turke, flet edhe maqedonisht, shqip, gjermanisht dhe serbisht.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit