Strugë, 18 korrik – Pakënaqësia e qytetarëve nga çmimet enormisht të larta në Ohër ka kulmuar në rrjetet sociale, ku ditëve të fundit po publikohen fotografi dhe komente të shumta nga turistët e zhgënjyer.
Si mysafirët vendorë ashtu edhe ata të huaj po reagojnë publikisht për, siç thonë ata, faturat jorealisht të larta në objektet hotelerike, dyqanet dhe plazhet e Ohrit, ndërsa në Strugë çmime shumë reale, përfshirë edhe rezervimet.
Duke nisur nga 10 euro për një shezlong, 5 euro për një lëng, dhjetëra euro për drekë pa faturë… Ohri po bëhet luks për vendasit, por jo për turistët e huaj“, thotë një nga komentet më të njohura në Facebook.
Në TikTok dhe Instagram qarkullojnë video të faturave me çmime të pabesueshme për vakte të thjeshta, si dhe nga plazhe të papastruara dhe shërbim i dobët, gjë që e ndez edhe më shumë debatin.
Qytetarët kërkojnë kontroll më të madh nga institucionet kompetente, ndërsa punonjësit e turizmit theksojnë se çmimet i korrigjojnë sipas rritjes së kostove të furnizimit. Ata shtojnë se duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për një vend turistik dhe se është normale që në periudhën e verës çmimet të jenë më të larta.
Kontrasti i çmimeve: Strugë vs Ohër
Për dallim nga Ohri, Struga po merr gjithnjë e më shumë lavdërime për një raport më të drejtë të çmimeve dhe shërbimit. Një krahasim i thjeshtë në terren tregon dallime të mëdha: një kafe ekspres në Strugë kushton nga 50 deri në 60 denarë (rreth 0.80€ – 1€), ndërsa në lokalet e Ohrit çmimi për të njëjtën pije shpesh është dyfish apo edhe trefish më i lartë. Ky trend i çmimeve “të kripura” në Ohër vazhdon edhe tek pijet tjera, qofshin ato joalkoolike apo alkoolike, të cilat në Ohër kushtojnë deri në trefish më shumë se sa në Strugë.
Në rrjetet sociale, qytetarët theksojnë se çmimet në lokalet e Ohrit janë bërë të papërballueshme. Në varësi të lokacionit dhe llojit, një kafe kushton nga 150 deri në 250 denarë (rreth 2.40€ – 4€), një birrë varion nga 150 deri në 300 denarë (rreth 2.40€ – 4.80€), ndërsa lëngjet e freskëta të shtrydhura arrijnë nga 200 deri në 300 denarë (rreth 3.20€ – 4.80€). Uji kushton 90 denarë (rreth 1.45€).
Për më tepër, edhe kur bëhet fjalë për ushqimin tradicional, siç është peshku, dallimi është drastik. Një pjatë me peshk të freskët të servuar në Strugë është dukshëm më e lirë, ndërsa në Ohër, për të njëjtin vakt, turisti duhet të paguajë një çmim shumë më të lartë, shpesh pa ndonjë përmirësim në cilësi apo shërbim.
Pse Struga mbetet alternative më e mirë
Struga ofron të njëjtën bukuri natyrore si Ohri, por me një atmosferë më të qetë dhe një qasje më miqësore ndaj xhepit të turistit. Ajo mbetet qendra kulturore e vendit, dhe liqeni është i njëjtë, duke e bërë atë një destinacion të përkryer për këdo që dëshiron të shijojë bukuritë e rajonit pa u rrënuar financiarisht. Për ata që dëshirojnë të eksplorojnë më shumë, mundësia për të kaluar një darkë në Pogradec është një tjetër plus i madh; distanca e shkurtër mundëson që ju të shijoni pasditen në Strugë dhe të udhëtoni për një darkë buzë liqenit në anën shqiptare, duke u kthyer lehtësisht brenda ditës. Struga vërteton se nuk ka nevojë për çmime marramendëse për të ofruar një përvojë të paharrueshme turistike. përcjell Zhurnal.mk .





