Kujdes të barabartë për zhvillimin e të gjitha komunave në vend. Vetëm në Kisella Vodë investojmë mbi 386 milionë denarë për rrugë dhe zhvillim urban, që paraqet një mbështetje të madhe për komunën, theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë vizitës së punës në Komunën e Kisella Vodës.
Së bashku me kryetaren e komunës, Beti Stamenkovska, ai inspektoi rrugën e rikonstruktuar “Llazar Dimitrov”, një projekt i realizuar përmes Ministrisë së Transportit me vlerë prej 3,6 milionë denarësh.
“Vetëm në Komunën e Kisella Vodës, përmes Ministrisë së Transportit, po realizohen projekte me vlerë 386 milionë denarë, ose rreth 6,5 milionë euro, që përbën një shumë dhe një mbështetje serioze për komunën. Kësaj, natyrisht, i shtohet edhe buxheti që ka vetë komuna.
Gjatë periudhës së kaluar u përfunduan edhe pesë rrugë të tjera, ndërsa në total, në periudhën e fundit kemi pasur mbi 20 projekte aktive.
Ajo që mund të them gjithashtu është se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë ta mbështesim komunën. Kryetarja e komunës ka ekip dhe vizion për zhvillimin e saj, prandaj, me zhvillimin urban, mbështetjen e Qytetit, si dhe mbështetjen e Qeverisë dhe të Ministrisë së Transportit, jam i bindur se do të arrijmë edhe më shumë rezultate,” deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Kryetarja e komunës, Beti Stamenkovska, theksoi se falë mbështetjes së siguruar nga Qeveria, si dhe mjeteve nga buxheti i Komunës, po realizohen projekte që synojnë një zhvillim më urban dhe një cilësi më të mirë jetese për banorët e komunës.





