Kuvendi i RMV-së e përforcon sigurinë, do të marrë masa për mbrojtje nga turmat dhe plumbat

Advertisement

Parlamenti dje publikoi një shpallje publike të nënshkruar nga kryetari Afrim Gashi, me të cilën kërkohet projektues për përforcimin e 6 dyerve masive hyrëse të Parlamentit, përkatësisht për furnizimin me dyer të reja, të mbrojtura nga turmat dhe plumbat. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një dere të re të madhe të garazhit nën Parlament, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Sipas Programit Projektues për përpunimin e dyerve të sigurisë së Parlamentit, me nënshkrim të Gashit, i cili është bashkëngjitur në dokumentacionin e tenderit, “klasa e dyerve që kërkohet ka të bëjë me rezistencën ndaj plumbave, mbrojtjen nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ndaj tentativave për sulm fizik nga turmat”.

Në Program thuhet se kjo e konfirmon nevojën për përdorimin e “materialeve shumë-shtresore, si xhami i laminuar dhe vetitë e polikarbonatit të materialeve, duke përfshirë edhe përdorimin e mekanizmave të specializuar për kornizat dhe sistemet e mbylljes”.

Më tej kërkohet që dyert e reja dykrahëshe të testohen ndaj presionit të turmave dhe ndaj predhave nga armët e zjarrit.

“Kjo do të thotë se niveli i mbrojtjes përcaktohet sipas standardeve të njohura të BE-së, të cilat simulojnë dy llojet e sulmeve, me qëllim sigurimin e sigurisë së objektit. Bëhet fjalë për 6 dyer të dyfishta me përmasa 166/293/193 cm dhe një derë garazhi me përmasa 355/485 cm, e cila duhet të ketë një trajtim të ndryshëm në aspektin e zgjidhjes funksionale nga dyert e tjera hyrëse”. Më tej janë përcaktuar edhe vetitë e nevojshme të materialeve.

Në shpallje thuhet se është e domosdoshme që dyert hyrëse të dyfishta të përmbushin edhe standardet estetike të objektit, duke vendosur konstruksionin e sigurisë në një mbështjellës druri “sanduiç” nga ana e jashtme dhe e brendshme, i cili do të përpunohet sipas fotografimit të dizajnit ekzistues dhe modelit të ornamentit.

“Projekti për konstruksionet ndërtimore është i nevojshëm për të siguruar përforcime prej betoni të armuar rreth kornizave të dyerve. Projekti i elektroteknikës duhet të sigurojë instalimin për vendosjen e automatizimit të nevojshëm, kontrollin dhe regjimin e përdorimit të dyerve”, në mënyrë që jo çdokush të mund t’i hapë dhe mbyllë ato.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit