Dilara Sollova
Pas një procesi të plotë rinovimi dhe rikonfigurimi të hapësirave ekspozuese, Galeria Kombëtare e Kosovës ka rihapur dyert për publikun, duke shënuar një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e saj institucionale. Rihapja u shoqërua me ekspozitën “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”, të kuruar nga artistja dhe kuratorja Hana Halilaj, një ekspozitë që nuk shënon vetëm rikthimin e institucionit në jetën publike, por edhe një mënyrë të re të leximit të koleksionit kombëtar dhe historisë së artit në Kosovë.
Në krye të ekipit të Galerisë Kombëtare të Kosovës qëndron ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Alisa Gojani Berisha, ndërsa ekspozita është realizuar nga një ekip i gjerë profesionistësh, ku bëjnë pjesë koordinatori i koleksionit Naim Spahiu, konservatorja Elena Prieto Bello, producenti Skender Xhukolli, si dhe dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë në fushën e koleksionit, edukimit, hulumtimit, medias, dizajnit, financave, administratës dhe mirëmbajtjes. Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, me mbështetje shtesë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Një rend shoqëror dhe politik mund të përshkruhet si peizazh. Ky është parimi që ushqen figurat e poetit dhe metaforat e filozofit e të burrështetasit. Çdo vend ka frymën e vet, e cila i jep jetë peizazhit dhe e bën atë ‘të lirë’. Po ashtu, ekziston një frymë e ligjeve: një grumbullim mënyrash të të jetuarit e të qenit, mbi të cilat mbështetet fuqia e vërtetë e ligjit. Natyra i frymëzon të dyja dhe secila mund të lexohet si metaforë e tjetrës.”
Ky citim shërben si hyrje konceptuale e ekspozitës, e cila shtrihet në një hark kohor prej më shumë se pesë dekadash, duke bashkuar veprat e koleksionit të përhershëm të Galerisë Kombëtare me praktika bashkëkohore artistike. Përmes këtij dialogu ndërmjet brezave, ekspozita eksploron mënyrat se si identiteti, kujtesa dhe përkatësia janë ndërtuar, sfiduar dhe rishkruar në kontekste të ndryshme historike e politike.
Ekspozita përshkon një hark kohor nga vitet 1970 deri në ditët e sotme, duke vendosur në dialog veprat e koleksionit të përhershëm të Galerisë Kombëtare me praktika bashkëkohore artistike. Përmes këtij takimi ndërmjet brezave, ajo krijon një lexim të ri të koleksionit, duke vënë në qendër mënyrat se si kujtesa, identiteti dhe përkatësia janë ndërtuar, sfiduar e riformuluar në periudha të ndryshme historike. Në një kohë kur Kosova ishte krahinë autonome brenda Jugosllavisë socialiste dhe shprehja politike ishte e kufizuar, rikthimi i vazhdueshëm te peizazhet, malet, fushat e viset rurale nuk ishte vetëm zgjedhje estetike. Brenda këtyre pikturave peizazhi shndërrohej në një sipërfaqe të koduar, ku mund të lexohej një pohim i heshtur i pranisë dhe i rezistencës. Duke u nisur nga kjo pikë, ekspozita zgjeron më tej dialogun drejt praktikave artistike bashkëkohore, ku marrëdhënia me vendin, kujtesën dhe transformimet politike e shoqërore merr forma të reja.
Rihapja e Galerisë Kombëtare shënon gjithashtu themelimin e hapësirës së parë institucionale të dedikuar për ruajtjen e koleksionit, një zhvillim i rëndësishëm për konservimin, studimin dhe interpretimin afatgjatë të trashëgimisë artistike të Kosovës. Për herë të parë, koleksioni do të ruhet në kushte profesionale, duke krijuar mundësi të reja jo vetëm për mbrojtjen e veprave, por edhe për hulumtime, ekspozime dhe lexime të reja të historisë së artit.
Në ceremoninë e hapjes, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani Berisha, e cilësoi këtë ditë si një moment historik për institucionin.
“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm për institucionin tonë. Pas më shumë se katër dekadash, Galeria Kombëtare e Kosovës rihap dyert e saj, duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj institucionale dhe kulturore. E themeluar në vitin 1979 si institucion qendror i artit pamor në vend, Galeria ka qenë gjithmonë një hapësirë e kujtesës, e dialogut dhe e zhvillimit të artit në Kosovë,’’ tha Berisha.
Ajo theksoi se ky është renovimi i parë i plotë që i është bërë institucionit që nga themelimi i tij.
“Për herë të parë ky institucion i është nënshtruar një renovimi të plotë. Krahas transformimit të hapësirave të saj janë krijuar edhe depot e reja profesionale.”
Sipas saj, këto ndryshime e vendosin Galerinë në një fazë të re zhvillimi.
“Galeria tashmë është e përgatitur si kurrë më parë të jetë një institucion modern, i hapur ndaj publikut, edukimit, hulumtimit dhe bashkëpunimit,’’ u shpreh Berisha.
Pas fjalës së drejtoreshës në detyrë, ceremonia vijoi me adresimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e vendosi rihapjen e Galerisë Kombëtare në një kontekst më të gjerë historik. Duke rikthyer vëmendjen te periudha kur institucioni u themelua, ajo foli për kohën kur arti dhe kultura përbënin një formë të rëndësishme të afirmimit shoqëror e kombëtar. Në rrjedhën e dekadave, sipas saj, Galeria nuk ka qenë vetëm një hapësirë ku janë ekspozuar vepra arti, por një institucion që ka dokumentuar zhvillimin e identitetit kulturor të Kosovës përmes punës së brezave të artistëve. Ajo vlerësoi kontributin e krijuesve të cilët, edhe në rrethana të vështira politike, arritën të ndërtonin një gjuhë të veçantë artistike, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të dëshmojë historinë e vendit.
“Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua më 1979, në një kohë kur ngritja e institucioneve kulturore ishte pjesë e përpjekjes për arsimim dhe për afirmim. Gjatë viteve që pasuan, artistët e asaj kohe i dhanë artit të Kosovës një fizionomi të veten, të mbështetur nga përvojat e vendit tonë dhe trysnia politike brenda së cilës duhej të krijonin,’’ u shpreh Haxhiu.
Në vijim të fjalës së saj, Haxhiu u ndal te një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së vendit, duke kujtuar dëmet e mëdha që lufta i shkaktoi edhe trashëgimisë artistike. Ajo tha se shumë vepra, atelie, skica dhe dokumente u shkatërruan, duke lënë boshllëqe që nuk mund të plotësohen më. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, ruajtja e koleksionit kombëtar nuk është thjesht një detyrë institucionale, por një përgjegjësi ndaj historisë dhe brezave që do të vijnë. Ajo e cilësoi zgjerimin e hapësirave të Galerisë dhe krijimin e depove profesionale si një hap të domosdoshëm drejt mbrojtjes së kësaj trashëgimie.
“Gjatë luftës u dogjën shumë atelie dhe u shkatërrua një numër i madh veprash artistike. Me to humbën edhe skica, dorëshkrime, dëshmi dhe pjesë të historisë së artit tonë pamor, të cilat fatkeqësisht nuk mund të rikthehen. Humbje të tilla e bëjnë edhe më të qartë se ruajtja e koleksionit është kaq e rëndësishme. Prandaj zgjerimi i Galerisë me 400 metra katrorë të rinj krijon, për herë të parë, hapësirën e nevojshme për ruajtjen dhe konservimin e koleksionit, si dhe për studimin e tij të mirëfilltë,’’ tha Haxhiu
Duke folur për rëndësinë e konservimit, ajo theksoi se veprat e artit nuk përfaqësojnë vetëm krijimtarinë e autorëve të tyre, por edhe kujtesën kolektive të një shoqërie. Arkivimi, sipas saj, është mënyra për ta mbrojtur këtë kujtesë dhe për t’ua transmetuar atë brezave të ardhshëm, duke u mundësuar qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie me të kaluarën përmes dokumenteve autentike dhe jo përmes kujtimeve të fragmentuara.
“Këtu ruhen veprat artistike për qytetarët e sotëm, por po ashtu edhe për brezat e ardhshëm. Arkivimi i veprave u jep hapësirë qytetarëve ta njohin të kaluarën pa qenë të detyruar ta shpikin nga e para, ndërkaq konservimi e ruan veprën edhe përtej kohës,’’ u shpreh Haxhiu.
Në fund të adresimit të saj, Haxhiu u ndal te vetë koncepti i ekspozitës, duke e lidhur titullin “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë” me realitetin historik të Kosovës. Ajo tha se përvoja e luftës, humbjeve dhe transformimeve shoqërore nuk është përjetuar në të njëjtën mënyrë nga të gjithë dhe se pikërisht ky dallim e bën të domosdoshëm dialogun që propozon ekspozita. Sipas saj, veprat e vendosura në të njëjtën hapësirë nuk rrëfejnë vetëm historinë e artit, por edhe historinë e një shoqërie që ka kaluar periudha të ndryshme dhe vazhdon ta ndërtojë të tashmen mbi shtresimet e së kaluarës.
“Titulli i ekspozitës që hapet sot, ‘Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë’, lidhet drejtpërdrejt me përvojën tonë. Një brez po ndërton jetën e vet në liri, ndërsa një tjetër ende pret përgjigje për mungesat që ka lënë lufta. Rihapja e Galerisë Kombëtare na mbledh pikërisht për t’i parë këto shtresime, për ta vështruar vendin tonë në mes periudhave të ndryshme.”
Në ceremoninë e rihapjes foli edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë investim si një dëshmi konkrete të rëndësisë që institucionet duhet t’i kushtojnë kulturës. Ai theksoi se zhvillimi i artit nuk mund të ndahet nga krijimi i kushteve të denja për ruajtjen dhe prezantimin e tij, ndërsa rihapjen e Galerisë e përshkroi si rezultat të një procesi të gjatë pune, planifikimi dhe përkushtimi institucional.
“Kjo rihapje është përfundim i një procesi të renovimit, është dëshmi e një bindjeje të qartë se kultura nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të denjë, sikurse që arti nuk mund të ruhet, prezantohet dhe zhvillohet pa hapësira të përshtatshme për krijim, ekspozim dhe konservim,” tha Kurti.
Ai rikujtoi se investimi prej më shumë se 1.6 milion eurosh nuk duhet parë si një ndërhyrje infrastrukturore e zakonshme, por si një investim afatgjatë në jetën kulturore të vendit. Sipas tij, projekte të tilla kërkojnë kohë dhe durim, por ndikimi i tyre shtrihet përtej momentit të inaugurimit, duke krijuar kushte që institucionet kulturore të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të jenë më pranë publikut.
“Ky investim me vlerë prej më shumë se 1.6 milion eurosh është provë se ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së skenës kulturore nuk është luks, por domosdoshmëri. Projekte të këtilla kërkojnë kohë, planifikim dhe përkushtim, prandaj shpesh rruga deri te finalizimi mund të duket e gjatë’, u shpreh Kurti.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti tha se Galeria Kombëtare duhet të vazhdojë të mbetet një vend ku arti takohet me publikun dhe ku kultura krijon ura komunikimi ndërmjet njerëzve.
“Në një vend ku arti takohet me publikun dhe ku kultura vazhdon të ndërtojë ura më të forta midis njerëzve’’, tha Kurti
Pas adresimeve institucionale, vëmendja u zhvendos te vetë ekspozita dhe procesi që i parapriu ndërtimit të saj. Kuratorja Hana Halilaj nuk foli vetëm për një koncept ekspozues, por edhe për një rrugëtim disa vjeçar hulumtues, i cili nisi shumë kohë përpara se publiku të mund ta shihte këtë projekt të materializuar. Në rrëfimin e saj, historia e ekspozitës lidhet ngushtë me historinë e vetë Galerisë Kombëtare, me mënyrën se si janë ruajtur veprat ndër vite dhe me transformimin që institucioni ka kaluar gjatë procesit të renovimit. Për Halilajn, ndryshimi nuk qëndron vetëm te hapësirat e reja, por edhe te mundësia që koleksioni të trajtohet me kujdesin profesional që i ka munguar për një kohë të gjatë. Pikërisht kjo përvojë personale u bë një prej pikënisjeve të konceptit kuratorial që publiku sheh sot.
“E kujtoj vitin 2021 kur kam pasur rastin të hulumtoj në arkivat e Galerisë dhe t’i shoh veprat e koleksionit në një dhomë, në kushte jo të duhura për ruajtjen e tyre. Andaj transformimi që Galeria e ka kaluar në këto vitet e fundit po më duket si ëndërr. Arkivat sot kanë një hapësirë të veçantë,’’ u shpreh Halilaj
Nga kjo përvojë lindi edhe pyetja që përshkon të gjithë ekspozitën: a e përjetojmë kohën në të njëjtën mënyrë? Për kuratoren, historia nuk është një rrëfim unik dhe linear. Ajo bartet ndryshe nga secili individ, nga secili brez dhe nga secila hapësirë. Disa kujtime mbesin të gjalla, të tjera zbehen, ndërsa disa përvoja vazhdojnë të ndikojnë të tashmen shumë kohë pasi kanë ndodhur. Pikërisht kjo ide përbën boshtin mbi të cilin është ndërtuar ekspozita, duke krijuar një dialog mes artistëve që i përkasin periudhave të ndryshme dhe që kanë krijuar në rrethana krejtësisht të ndryshme historike.
“Ekspozita ‘Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë’ niset pikërisht nga kjo premisë, se historia nuk mbërrin njëjtë dhe në të njëjtat mënyra për të gjithë dhe nuk përjetohet njësoj nga të gjithë trupat, vendet apo gjeneratat,’’ tha Halilaj.
Në vijim të prezantimit të saj, Halilaj shpjegoi se ekspozita nuk është ndërtuar sipas një rendi kronologjik klasik, por si një dialog mes kohëve. Veprat historike dhe ato bashkëkohore vendosen pranë njëra-tjetrës për të krijuar lexime të reja dhe për të treguar se pyetjet mbi identitetin, kujtesën dhe përkatësinë vazhdojnë të jenë po aq aktuale edhe sot. Përmes këtij ballafaqimi, ekspozita nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por ta ftojë publikun të ndërtojë leximin e vet mbi marrëdhënien ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes.
“Duke përshkruar një hark kohor nga vitet 1970 deri në ditët e sotme, ekspozita vendos në dialog vepra nga koleksioni i përhershëm i Galerisë me praktika bashkëkohore artistike. Përmes tyre ajo shqyrton mënyrat se si kujtesa, identiteti dhe përkatësia janë pohuar dhe vazhdimisht janë vënë në pikëpyetje,’’ tha Halilaj.
Në zemër të këtij koncepti qëndron peizazhi, një motiv që përsëritet në shumë prej veprave të koleksionit të hershëm. Megjithatë, siç shpjegoi kuratorja, peizazhi nuk lexohet vetëm si natyrë apo përshkrim i vendit. Në periudha kur shprehja politike ishte e kufizuar, ai shndërrohej në një gjuhë të heshtur artistike, përmes së cilës mund të artikuloheshin përkatësia, rezistenca dhe raporti me territorin. Kjo ide vazhdon të rezonojë edhe në veprat bashkëkohore, ku peizazhi merr forma të reja, shpesh duke u zhvendosur nga natyra drejt trupit, kujtesës, migrimit apo përvojës personale.
“Pikënisja e konceptit të ekspozitës është prania e peizazhit në disa prej veprave më të hershme të koleksionit. Në ato periudha, kur shprehja politike ishte e kufizuar, rikthimi te malet, fushat, fshatrat dhe viset rurale nuk ishte vetëm zgjedhje estetike. Brenda këtyre imazheve, peizazhi bëhej një sipërfaqe e koduar, një mënyrë për të shprehur përkatësi, prani dhe rezistencë,’’ u shpreh Halilaj.
Kjo qasje reflektohet edhe në përzgjedhjen e artistëve dhe veprave që janë bërë pjesë e ekspozitës. Brenda së njëjtës hapësirë ekspozuese takohen breza të ndryshëm krijuesish, duke e kthyer koleksionin në një bisedë të hapur mes kohëve. Nga mjeshtrit që kanë formësuar historinë e artit modern në Kosovë deri te emrat që sot përfaqësojnë skenën bashkëkohore ndërkombëtare, ekspozita krijon një rrëfim të përbashkët ku nuk ekziston një vijë e prerë mes së kaluarës dhe së tashmes.
Në mesin e veprave të ekspozuara janë punimet e Muslim Mulliqit, Tahir Emrës, Alije Vokshit, Halil Muhaxhirit, Esat Vallës, Nebih Muriqit, Bedri Emrës, Hilmija Çatoviqit, Nimon Lokajt, Rexhep Gocit, Agim Çavdarbashës, Gjelosh Gjokajt, Xhevdet Xhafës, Agim Rudit, Rexhep Ferrit, Valbona Zherkës, Engjëll Berishës, Adem Kastratit, Fatmir Krypës, Hysni Krasniqit, Hyrije Krypës, Budim Berishës, Feriha Radës dhe Simon Shirokës, të cilat vendosen në dialog me praktikat bashkëkohore të Sislej Xhafës, Petrit Halilajt, Alban Mujës, Doruntina Kastratit, Jakup Ferrit, Bora Babocit, Rudina Xhaferit, Brilant Milazimit, Violeta Xhaferit, Isa Alimusajt, Lala Meredith Vulës, Zakë Prevlukajt dhe artistëve të tjerë.
Përgjatë gjithë itinerarit, ekspozita nuk kërkon që vizitori të ndjekë një rrugë të vetme leximi. Përkundrazi, ajo e fton secilin të ndalet para veprave dhe të ndërtojë marrëdhënien e vet me to. Disa punime rikthejnë kujtesën e peizazhit si vend i përkatësisë, të tjera flasin për trupin, mungesën, migrimin, luftën, transformimin shoqëror apo jetën urbane. Pikërisht në këtë shumësi perspektivash qëndron edhe forca e ekspozitës: ajo nuk e paraqet historinë si një narrativë të mbyllur, por si një proces që vazhdon të rishkruhet nga secili brez dhe nga secili shikues që hyn në dialog me veprat.
Ceremonia e hapjes u përmbyll me performancën e DJ-së dhe producentes muzikore Oda Haluta, e cila përmes ndërhyrjes së saj sonore krijoi një atmosferë që dialogonte natyrshëm me hapësirën dhe veprat artistike. Në këtë mënyrë, rihapja e Galerisë Kombëtare të Kosovës nuk u shënua vetëm si inaugurimi i një institucioni të rinovuar, por si rikthimi i një hapësire ku historia, arti dhe kujtesa vazhdojnë të takohen, duke dëshmuar se jo të gjithë e jetojnë kohën në të njëjtën mënyrë, por se arti mbetet një prej gjuhëve më të fuqishme për t’i bërë këto përvoja të komunikojnë me njëra-tjetrën./KultPlus.com
Në hyrje të ekspozitës, vizitorët përballen me një citim të filozofit francez Jacques Rancière nga vepra Koha e Peizazhit, ku peizazhi trajtohet si metaforë e rendit shoqëror dhe politik.





