Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën sot në një aksident të rëndë trafiku në Slloveni, i cili ka ndodhur rreth orës 16:30 në autostradën bregdetare.
Sipas informacioneve fillestare, një automjet në të cilin udhëtonin pesë shtetas maqedonas është përplasur me rimorkion e një automjeti transportues.
Drejtoria e Policisë së Koperit bëri të ditur se automjeti transportues kishte ndaluar për shkak të një defekti, ndërsa automjeti ka goditur pjesën e pasme të majtë të rimorkios.
Mjeku i pranishëm në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tre personave. Një tjetër i lënduar është transportuar me helikopter në spital, ndërsa drejtuesi i automjetit, i cili gjithashtu ka pësuar lëndime, është dërguar me ambulancë për trajtim mjekësor.
Autoritetet sllovene ende nuk kanë bërë të ditur identitetin, moshën apo gjendjen shëndetësore të personave që kanë mbijetuar.
Në vendin e aksidentit kanë intervenuar ekipe të policisë, zjarrfikësve dhe shërbimeve mjekësore.






