Toshkovski: Zyrtarët që keqpërdorin pozitën do të sanksionohen në mënyrën më të rreptë

Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se çdo zyrtar për të cilin do të sigurohen dëshmi për keqpërdorim të pozitës apo punë të papërgjegjshme do të sanksionohet në përputhje me ligjin.

Duke folur në TV Sitel për dyshimet se zyrtarë policorë kanë lëshuar leje të falsifikuara për drejtim automjetesh kundrejt 1.400 eurove, Toshkovski tha se rasti tashmë është në proces hetimor.

Ai bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar informacione për dyshime konkrete për vepër penale, të cilat janë përcjellë te Prokuroria Publike. Sipas tij, prokuroria ka dhënë urdhër që Kontrolli i Brendshëm në kuadër të MPB-së të ndërmarrë veprime hetimore.

Toshkovski tha se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje, pasi rasti është ende pjesë e përpunimit operativ.

“Kur të kemi mundësi, natyrisht që do ta informojmë opinionin. Nuk guxojmë të lejojmë keqpërdorimin e pozitës zyrtare”, theksoi ministri.

Sa i përket dyshimeve për lidhje me rastet e mëparshme të pasaportave të falsifikuara, Toshkovski tha se nuk dëshiron të japë detaje, por vlerësoi se dënimet më të ashpra do të mund të kishin parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

Sipas tij, edhe pse rasti aktual lidhet me leje për drejtim automjetesh dhe jo me dokumente udhëtimi, bëhet fjalë për të njëjtin problem – dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe parregullsi në procesin e lëshimit të dokumenteve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit