Shkup, 7 korrik – Instituti Maqedonas i Medieve (MIM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot në Shkup promovuan Kodin e ri të Gazetarëve të Maqedonisë, i cili paraqet një kornizë të modernizuar për raportim profesional dhe etik, të përshtatur me sfidat e epokës digjitale, rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale.
Në fillim të ngjarjes u theksua se procesi i ndryshimit dhe plotësimit të Kodit ka nisur në vitin 2024, më pas është ndërprerë përkohësisht dhe ka vazhduar në vitin 2026 me qëllim finalizimin e tij, si pjesë e një projekti më të gjerë për forcimin e standardeve etike dhe rritjen e besimit në media.
Kryetari i SHGM‑së, Mlladen Çadikovski, në fjalën e tij theksoi se ky dokument përfaqëson “një marrëveshje të re mes gazetarëve dhe publikut”, me të cilën komuniteti gazetaresk obligohet se gazetaria profesionale është e gatshme t’i përgjigjet kohës dinamike në të cilën jetojmë. Ai theksoi se Kodi i deritanishëm, për më shumë se 25 vjet, ka qenë themeli i gazetarisë, por bota ndërkohë është ndryshuar në mënyrë drastike me vërshimin e platformave digjitale, algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.
“Në një botë të tillë ishte logjike të pyesim nëse parimet e vjetra etike janë të mjaftueshme, dhe përgjigjja është krejt e qartë: vlerat themelore të gazetarisë – e vërteta, verifikimi i fakteve, pavarësia, interesi publik dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve – nuk ndryshojnë dhe nuk do të ndryshojnë”, tha Çadikovski.
Ai theksoi se Kodi i ri, për herë të parë, i referohet sfidave të epokës digjitale, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, transparencën, konfliktin e interesave, si dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe privatësisë. Sipas tij, për Kodin është punuar më shumë se dy vjet në një proces gjithëpërfshirës me gazetarë, ekspertë dhe trupa vetërregulluese, duke krijuar një produkt autentik maqedonas rezistent ndaj presioneve.
Sfidat e inteligjencës artificiale
Kodi i ri për herë të parë vendos rregulla dhe udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale në redaksi, forcon standardet për transparencë, korrigjime dhe konflikt interesi, dhe i kushton më shumë vëmendje dinjitetit të viktimave, mbrojtjes së fëmijëve dhe privatësisë.
Çadikovski theksoi se gazetarët nuk janë kundër teknologjisë dhe se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizën e dokumenteve, përkthim dhe transkriptim, por se ajo kurrë nuk do të jetë gazetar.
“Mesazhi më i rëndësishëm që duam të përcjellim me Kodin e ri është se gazetarët nuk janë kundër teknologjisë. Përkundrazi, e kuptojmë se inteligjenca artificiale është dhe do të jetë gjithnjë e më e pranishme në redaksi. Ajo mund të ndihmojë shumë – të analizojë dokumente, të përkthejë tekste, të transkriptojë intervista – por kurrë nuk mund të jetë gazetar. Inteligjenca artificiale nuk mund të jetë në vendin e ngjarjes, nuk mund të fitojë besimin e bashkëbiseduesit, nuk mund të bëjë pyetjen e duhur plotësuese dhe nuk mund të marrë përgjegjësinë para publikut. Prandaj përgjegjësia gjithmonë do të mbetet njerëzore, gazetareske. Në kohën kur secili mund të krijojë përmbajtje, gazetari profesional nuk do të njihet më nga fakti nëse ka publikuar i pari, por nëse ajo që ka publikuar është e saktë, e verifikuar dhe në interes publik”, tha Çadikovski.
Në promovim foli edhe kryetari i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), Aleksandar Krzhalovski, i cili përgëzoi procesin gjithëpërfshirës të hartimit të dokumentit, por ndau edhe mësime nga praktika me Kodin e organizatave qytetare.
Krzhalovski paralajmëroi rrezikun që akti të mbetet vetëm në letër nëse nuk vendosen mekanizma të fortë për zbatimin e tij.
“Pyetja është si do të zbatohet dhe si do të kontrollohet më tej, dhe si do të evidencohen lëshimet, sepse nga përvoja me organizatat qytetare – edhe pse mbi 150 organizata e kanë nënshkruar Kodin – vetëm 25 për qind i përmbushin detyrimet e tij”, tha Krzhalovski.
Ai shtoi se përvoja tregon se miratimi është vetëm hapi i parë, ndërsa sfida kryesore mbetet zbatimi i qëndrueshëm.
“Me këtë mësim dua të tregoj se çfarë ju pret në zbatimin e mëtejshëm të Kodit të ri të Gazetarëve. Shpresoj që MIM, së bashku me aktorët e tjerë, të krijojë mekanizma efikasë që kjo të respektohet, dhe gazetarët të mos e shohin këtë vetëm si një fletë letre, por ta zbatojnë realisht”, theksoi Krzhalovski.
Kodi i ri pritet të shërbejë si busull etike për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të profesionistëve të medias në vend, me qëllim të krijimit të një dallimi të qartë mes gazetarisë profesionale dhe krijuesve të tjerë të përmbajtjes në hapësirën digjitale. përcjell Zhurnal.mk .





