Në fshatin Jabollçishtë e Poshtme të Komunës së Çashkës, në oborrin e Shkollës Fillore “Liria”, u përurua këndi i lojërave “Parku i Miqve”, një donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i realizuar përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, për fëmijët dhe banorët e këtij fshati.
Në ceremoninë e përurimit, Ambasadori Qehaja, theksoi se ky donacion, ndonëse modest në përmasa, bart një simbolikë të veçantë dhe përfaqëson përkushtimin e Kosovës për të qenë pranë qytetarëve të kësaj zone, si dhe për të avancuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se donacioni është shenjë e lidhjes organike të Kosovës me popullatën në këto anë si dhe reflektim i një falenderimi për kauzën e shtetit të Kosovës – kauzë kjo e cila u arrit edhe fal kontributit të shqiptarëve jashtë territorit të Kosovës.

Shkolla Fillore “Liria” ndiqet nga rreth 200 nxënës, ndërsa Komuna e Çashkës zë një pozitë të rëndësishme territoriale në Maqedoninë e Veriut dhe është vendbanim i një komuniteti autokton e të rëndësishëm shqiptar.
Ky është investim në kuadër të diplomacisë publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Për nder të këtij kontributi, Kryetari i Komunës së Çashkës ndau mirënjohje për Ambasadën tonë, mirënjohje kjo qe u pranua me kënaqësi nga Ambasadori Qehaja.





