Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, akuzoi LSDM-në dhe Levicën se me 13 mijë amendamente po përpiqen të bllokojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat do t’u mundësonin qytetarëve në diasporë të votojnë në mënyrë elektronike.
Sipas Mickoskit, opozita po vepron nga frika se nuk gëzon mbështetjen e diasporës, ndërsa tha se vota e bashkatdhetarëve jashtë vendit është “vija e kuqe” e Qeverisë.
“Diaspora duhet të ndihet e lidhur me atdheun e saj. Synimi ynë është që një ditë ta kthejmë atë në shtëpi. Nëse u mohohet edhe e drejta për të votuar, çfarë motivi do të kenë për t’u rikthyer?”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se gjatë muajve të fundit është zhvilluar një debat konstruktiv për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe se shumica kishte pranuar propozimet e opozitës, përfshirë edhe ato që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore. Megjithatë, sipas tij, në momentin e fundit Levica refuzoi të nënshkruante propozimin dhe më pas paraqiti mijëra amendamente.
Mickoski rikujtoi edhe deklaratat e ish-kryeministrit Zoran Zaev, duke pretenduar se kishte pasur bashkëpunim mes LSDM-së dhe Levicës, ndërsa u bëri thirrje të dyja partive që të heqin dorë nga, siç tha ai, interesat politike dhe të mbështesin reformën zgjedhore.
Kryeministri theksoi gjithashtu se votimi elektronik do të ulte ndjeshëm shpenzimet për organizimin e votimit të diasporës, duke shtuar se aktualisht shteti shpenzon miliona euro për dërgimin e personelit në përfaqësitë diplomatike për zhvillimin e procesit zgjedhor, ndërsa pjesëmarrja e diasporës mbetet e ulët për shkak të distancave të mëdha.





