IPKKF “Fidani” ka njoftuar emërimin e Znj Agnesa Muaremi në detyrën e drejtoreshës së institucionit.
Znj. Muaremi vjen në këtë detyrë me një përvojë 18-vjeçare si edukatore në IPKKF “Fidani”, ku ndër vite është vlerësuar për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në punën me fëmijët. Ajo pritet ta udhëheqë institucionin me përgjegjësi, integritet dhe vizion, duke kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të tij.
Me rastin e këtij ndryshimi në drejtimin e institucionit, drejtoresha në largim Znj. Gzime Bakiu ka shprehur mirënjohje të thellë për periudhën e kaluar në krye të IPKKF “Fidani”, duke theksuar se ky institucion do të mbetet gjithmonë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të saj profesional dhe personal.
Ajo ka vlerësuar bashkëpunimin me stafin, prindërit dhe institucionet komunale, duke theksuar se falë përkushtimit të përbashkët janë përballuar sfidat dhe është avancuar misioni kryesor i institucionit: kujdesi, edukimi dhe mirëqenia e fëmijëve.
Në fjalën e saj, ajo ka falënderuar për mbështetjen institucionale ish-kryetarin e Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, kryetarin aktual të Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, si dhe stafin dhe të gjithë të punësuarit e Komunës së Çairit për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset që kanë pasur të bëjnë me institucionin.
Mirënjohje e veçantë është shprehur edhe për gjithë stafin e IPKKF “Fidani”, të cilët janë cilësuar si zemra e institucionit, falë punës së palodhshme, dashurisë dhe përkushtimit në krijimin e një ambienti të ngrohtë, të sigurt dhe edukativ për fëmijët.
Po ashtu, falënderime janë drejtuar edhe për prindërit, për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, të cilët kanë qenë pjesë e rëndësishme e çdo suksesi dhe sfide të përbashkët.
Kolektivi i IPKKF “Fidani” i ka uruar mirëseardhje znj. Agnesa Muaremi në detyrën e re, duke i dëshiruar shëndet, suksese dhe një mandat të frytshëm në shërbim të fëmijëve, stafit dhe mbarë institucionit.





