Bilanci i viktimave nga dy tërmetet që goditën Venezuelën është rënduar, duke arritur në 1 mijë e 719 të vdekur. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, gjatë një deklarate në televizionin shtetëror.
Sipas tij, nga fatkeqësia natyrore, e cila ndodhi pak pas orës 18:00 sipas kohës lokale të mërkurën e kaluar, janë plagosur gjithashtu 5 mijë e 34 persona.
Rodriguez bëri të ditur se 15 mijë e 866 banorë kanë mbetur pa strehë si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Ndërkohë, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi më herët se organizata po përgatitet për skenarin më të keq, ku numri i viktimave mund të arrijë deri në 10 mijë, pasi besohet se shumë trupa ndodhen ende nën rrënoja.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e qytetarëve venezuelas kanë kritikuar autoritetet për mungesën e reagimit të shpejtë dhe mbështetjes humanitare pas katastrofës.
Nga ana tjetër, presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, deklaroi se mbi 25 mijë zjarrfikës, efektivë të policisë, ushtarë dhe ekipe shpëtimi janë angazhuar në operacionet për t’u ardhur në ndihmë të prekurve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ajo falënderoi gjithashtu vendet partnere për ndihmën e ofruar ndaj Venezuelës gjatë ditëve të fundit.
Sipas autoriteteve, operacioni ndërkombëtar i kërkim-shpëtimit ka përfshirë pjesëmarrjen e 30 shteteve, me 3 mijë e 681 punonjës të ekipeve të emergjencës, 1 mijë e 86 ton furnizime humanitare, 27 automjete dhe 118 qen të trajnuar për kërkim-shpëtim.





