Shkup, 27 qershor – Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të gjerë, ku sipas informacioneve jozyrtare, të paktën një pjesë e madhe e ministrave do të largohen nga postet e tyre.
Krahas ndryshimeve tek pozita e Zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Kryeministri Hristijan Mickoski pritet të bëjë ndryshime edhe në ministritë e Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Drejtësisë, Shëndetësisë, Kulturës dhe Turizmit, Arsimit, Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sportit dhe Bujqësisë, ndërsa nuk përjashtohen edhe lëvizje të tjera kadrovike.
Burimet qeveritare bëjnë të ditur se përbërja e re e kabinetit Mickoski II mund të shpallet zyrtarisht të martën kur edhe emrat e rinj pritet të dërgohen për miratim në Parlament.
Sipas këtyre informacioneve, nga posti i ministrit të Shëndetësisë pritet të largohet Azir Aliu derisa në vend të tij pritet të ulet kuadër i VMRO ku në lojë janë disa emra e mes tyre edhe Sinisha Stojanovski drejtor aktual i Klinikës Universitare 8 Shtatori si dhe drejtori aktual i Fondit për sigurim shëndetësor Sasho Klekovski. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë pritet të largohet Cvetan Tripunovski, ndërsa në vend të tij përmendet emri i Borçe Serafimovski nga ZNAM i cili aktualisht mban pozitën e Sekretarit shtetëror.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, nga Qeveria pritet të largohen edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov ku në vend të tij pritet të ulet kuadër i Vlen-it dhe si emër përflitet profesori universitar Jeton Shasivari, ministrja e Arsimit Vesna Janevska e cila pritet të zëvendësohet me një kuadër tjetër të VMRO, ministri i Kulturës Zoran Ljutkov do të zëvendësohet me një kuadër të Vlen-it ku përflitet emri i zëvendësministrit aktual Sadat Sulejmani, si dhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani ku në vend të tij pritet të ulet zëvendësministri aktual nga VMRO Gjoko Velkovski.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Ministrinë e Sportit ku pritet të ulet kuadër i Vlen-it si dhe gjithashtu edhe te Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive poashtu kuadër i Vlen-it.
Më herët, kryeministri Mickoski kishte paralajmëruar se rikonstruksioni i kabinetit qeveritar do të bëhet për shkak të ndryshimit të prioriteteve në punën e Qeverisë. Për të martën është caktuar mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ku pritet të bëhen publike edhe emrat e ministrave të rinj.
Përveç ministrave, pritet të ketë ndryshime edhe në pozitat drejtuese të institucioneve shtetërore, megjithëse deri më tani nuk janë publikuar emra konkretë.
Megjithatë, duhet theksuar se këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Qeveria, ndërsa bisedimet për përbërjen e re të kabinetit vazhdojnë. përcjell Zhurnal.mk .





