Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të konsiderueshme të pagave në Maqedoninë e Veriut gjatë dy viteve të fundit.
Sipas tij, paga mesatare neto në mars të vitit 2024 ishte 40.496 denarë, ndërsa në mars të vitit 2026 arriti në 48.433 denarë, që paraqet një rritje prej afërsisht 8.000 denarësh ose 19,6 për qind.
Ai theksoi se në të njëjtën periudhë rritja e çmimeve ka qenë 7,8 për qind, ndërsa rritja reale e pagave, e korrigjuar me inflacionin, arrin në rreth 11 për qind.
“Pagat jo vetëm që po e ndjekin rritjen e çmimeve, por po rriten dukshëm më shpejt, duke e përmirësuar fuqinë blerëse të qytetarëve”, tha Stojanoski.
Sipas tij, rritja është evidentuar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Në vlerë absolute, rritjen më të madhe e kanë shënuar sektori i informacionit dhe komunikimeve, transporti dhe magazinimi, si dhe minierat, ndërsa në aspektin përqindor kryesojnë transporti, veprimtaritë e lidhura me pasuritë e paluajtshme dhe arsimi.
Stojanoski vlerësoi se këto rezultate janë dëshmi se politikat ekonomike po japin efekt dhe se të ardhurat e të punësuarve po rriten, duke shtuar se synimi mbetet vazhdimi i rritjes së pagave, hapja e vendeve më të paguara të punës dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve.





