Kursime prej rreth 500 mijë eurosh në karburant, ndonëse në qarkullim janë mbi 200 autobusë, ka realizuar këtë vit Ndërmarrja Publike e Transportit (JSP) në Shkup.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke ngritur dyshime se në të kaluarën dikush kishte përfituar padrejtësisht nga shpenzimet për naftë.
Sipas tij, kur mori drejtimin e qytetit, JSP kishte 148 autobusë funksionalë, ndërsa sot në linjat urbane qarkullojnë mbi 200.
Gjorgjievski tha se për të parandaluar keqpërdorimet janë vendosur pajisje GPS në autobusë dhe automjetet e ndërmarrjeve publike, si dhe sonda për matjen e konsumit të karburantit.
Ai paralajmëroi edhe ardhjen e 100 autobusëve të rinj ekologjikë, të cilët pritet të përmirësojnë transportin publik në Shkup.








