Shkup, 15 qershor Zhurnal.mk – Nëntë zyrtarët policorë të akuzuar në rastin që lidhet me diskotekën “Pulse” në Koçan u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u ngarkohen nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Prokurorja Spasenka Andonova, e cila përfaqëson aktakuzën, tha se të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme lidhur me evidencën e shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike, si dhe nuk kanë realizuar verifikime në terren për zgjidhjet e komunikacionit.
Sipas aktakuzës, ata kanë mundësuar dhënien e licencës për funksionimin e lokalit në vitet 2022 dhe 2023, me qëllim që t’i sigurojnë përfitim pasuror personit juridik në vlerë prej rreth 284 mijë denarësh për vitin 2022, si dhe përfitim për pronarin joformal të klubit në vlerë prej mbi 330 mijë denarësh në formë page bruto.
“Me aktakuzën u vihet në barrë se nuk i kanë ndërmarrë këto veprime. Si rezultat i kësaj, është dhënë pëlqimi dhe mbi bazën e tij është lëshuar licenca, e cila i ka mundësuar klubit të vazhdojë punën dhe të realizojë përfitime pasurore”, deklaroi prokurorja Andonova.
Nga ana tjetër, mbrojtja vlerëson se bëhet fjalë për drejtësi selektive. Avokati i policit të parë të akuzuar tha se mungojnë disa prova të rëndësishme me shkrim dhe se synimi është që në proces të përfshihen sa më shumë persona.
“Këto prova janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen, sepse tregojnë se janë kryer të gjitha kontrollet dhe është bërë gjithçka për të parandaluar situata të tilla. Klienti im ka dalë në pension tre vite para ngjarjes në diskotekën ‘Pulse’. Nuk është drejtësi nëse logjika është ‘sa viktima, aq të akuzuar’. Nuk është në rregull që me çdo kusht të shtohen të akuzuarit në këtë proces”, tha ai.
Procesi gjyqësor po udhëhiqet nga gjyqtarja Lenka Davitkova. Seanca e ardhshme është caktuar për më 29 qershor, kur do të vazhdojë paraqitja e provave materiale.





