Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë në Stamboll në Forumin e Biznesit Maqedonia e Veriut – Turqi, një ngjarje e rëndësishme ekonomike kushtuar thellimit të bashkëpunimit dypalësh, tërheqjes së investimeve dhe hapjes së mundësive të reja për partneritete ndërmjet kompanive dhe institucioneve të të dyja shteteve.
Forumi mblodhi përfaqësues të qeverive, institucioneve dhe komuniteteve të biznesit nga Maqedonia dhe Turqia, me qëllim avancimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e iniciativave të reja investuese. Në forum mori pjesë një delegacion i lartë qeveritar maqedonas, i udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski, ku bënin pjesë edhe ministra përgjegjës për fushat e ekonomisë, energjetikës dhe infrastrukturës.
Në kuadër të forumit, ministrja Bozhinovska foli në panel-diskutimin “Bashkëpunimi dypalësh në tregti, industri, prodhim dhe zinxhirët e furnizimit”, ku prezantoi mundësitë që ofron Maqedonia në sektorët e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, si dhe proceset reformuese të orientuara drejt krijimit të një klime investuese tëqëndrueshme, të parashikueshme dhe konkurruese.
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në kuadër të Forumit të Biznesit Maqedono-Turk në Stamboll, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, prof. dr. Omer Bolat.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, me theks të veçantë në sektorët e energjetikës, minierave, burimeve minerale dhe tërheqjes së investimeve të reja.
Takimi përfaqëson edhe një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve Maqedoni-Turqi dhe një konfirmim të përkushtimit të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet të të dy vendeve.





