Zvicra po voton të dielën për të vendosur nëse do të mbështesë një propozim për të kufizuar popullsinë e vendit, nëpërmjet një referendumi, i cili është krahasuar me votimin për Brexit në Britani dhe mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë dhe marrëdhëniet e Bernës me Bashkimin Evropian.
I nxitur nga shqetësimet për emigracionin, presionin mbi shërbimet publike dhe mungesën e banesave, ndryshimi kushtetues i propozuar nga Partia Popullore Zvicerane do të kërkonte që popullsia e vendit të mos kalojë 10 milionë banorë deri në vitin 2050. Sipas projeksioneve zyrtare, Zvicra pritet ta arrijë këtë shifër në fillim të viteve 2040.
Kjo skemë e paprecedentë për të përcaktuar me ligj nivelin e popullsisë vjen në një kohë kur e djathta politike në Evropë po kërkon masa më të ashpra ndaj emigracionit, e nxitur nga pakënaqësia për koston e jetesës, rritjen e dobët ekonomike dhe kriminalitetin.
“Nëse popullsia kalon 10 milionë, hapësira do të bëhet e kufizuar dhe emigracioni duhet të kufizohet”, ka thënë Helen Gulea, 58 vjeçe, rrobaqepëse dhe punonjëse me kohë të pjesshme në një kioskë në Cyrih, me origjinë nga Kenya, e cila votoi me postë në favor të kufirit të propozuar.
Rezultatet e votimit pritet të fillojnë të publikohen rreth mesditës.
Nëse propozimi miratohet, arritja e kufirit prej 10 milionë banorësh do të aktivizonte një proces që mund ta detyrojë Zvicrën të heqë dorë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të të cilit furnizojnë një pjesë të madhe të tregut zviceran të punës.
Popullsia në plakje e Zvicrës tashmë ka kaluar 9 milionë banorë dhe sondazhet tregojnë se opinioni publik është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë.
Një sondazh përfundimtar i realizuar këtë muaj tregoi se mbështetja për propozimin është në rënie dhe se më shumë qytetarë po e kundërshtojnë atë. Megjithatë, një sondazh i mëhershëm kishte sugjeruar se iniciativa mund të miratohej.
Patrick Leisibach, ekspert i migracionit në organizatën kërkimore “Avenir Suisse”, ka thënë se shqetësimi se mbipopullimi po e çon infrastrukturën publike në kufijtë e saj është bërë tashmë i përhapur në të gjithë vendin.
“Tradicionalisht ekziston një votë kundër emigracionit në krahun e djathtë politik, por sot edhe shumë njerëz në të majtën po e ndiejnë këtë presion”, ka thënë ai.





