Ndahet nga jeta dr. Ferit Vojnika, gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni

Përveç kontributit të papërsëritshëm në shëndetësi, dr. Ferit Vojnika ishte edhe një kronikan dhe ruajtës i memories historike të qytetit. Përmes librit të tij të njohur “Dibra nëpër urat e kohës”, ai dokumentoi me vërtetësi rrugëtimin e vështirë të intelektualëve dibranë dhe jetën e qytetit në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore

Vjollca SADIKU

Dibër, 11 qershor – Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare dr. Ferit Vojnika, gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni, i cili njëkohësisht ishte edhe një patriot i madh dibran që u angazhua maksimalisht në vitet e para të pluralizmit në Dibër, por edhe në nivel kombëtar. Dr. Vojnika ishte dhe mbetet ikonë e mjekësisë në Dibër. I njohur historikisht si gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shërimin e pacienteve gjatë punës së tij në Kosovë dhe Maqedoni. Dr. Ferit Vojnika la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme humane dhe profesionale. Në një kohë kur shqiptarët në Maqedoni angazhoheshin fuqishëm për të drejtat e tyre kombëtare, mjekësia shqiptare në këto troje po hidhte hapat e saj të parë. Ai kreu studimet dhe specializimet e vështira në Shkup dhe Beograd, ndërsa për një periudhë shërbeu edhe në Gjakovë, për t’u rikthyer më pas përfundimisht në vendlindjen e tij, në Dibrën e Madhe.

Për dekada me radhë, në kushte jashtëzakonisht të vështira të një spitali periferik dhe pa mjetet e teknologjisë moderne, dr. Vojnika kreu mijëra ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale, të cilat në atë kohë realizoheshin vetëm në klinika të mëdha universitare. Nën duart e tij humaniste erdhën në jetë breza të tërë dibranësh, duke ndërtuar një karrierë të artë dhe të pastër, pa asnjë rast fatal.

Dr. Ferit Vojnika ishte gjithashtu ndër intelektualët e parë dibranë që dha një kontribut të madh në organizimin politik në Dibër. Gjatë viteve të para të pluralizmit ai ishte kryetar i Këshillit Komunal në Dibër, por mbajti edhe shumë poste të tjera politike. Ishte intelektuali që zhvilloi takime të shumta me diplomatë të huaj, të cilët i bindi me argumente për diskriminimin që u bëhej shqiptarëve në Maqedoni.

Gjinekologu dibran ishte edhe një figurë e njohur e sportit. Ai luajti futboll për Korabin, por edhe për ekipe të tjera në Kosovë dhe në disa qytete të Maqedonisë. Përveç kontributit të papërsëritshëm në shëndetësi, dr. Ferit Vojnika ishte edhe një kronikan dhe ruajtës i memories historike të qytetit. Përmes librit të tij të njohur “Dibra nëpër urat e kohës”, ai dokumentoi me vërtetësi rrugëtimin e vështirë të intelektualëve dibranë dhe jetën e qytetit në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

Edhe gjatë viteve të pensionimit, dr. Ferit Vojnika ndoqi me vëmendje risitë në fushën e gjinekologjisë. Në angazhimin e tij politik dhe shoqëror, ai theksonte vazhdimisht se partitë politike shqiptare në trojet e tyre etnike duhet të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme për arritjen e barazisë së plotë të shqiptarëve. Me ndarjen nga jeta të dr. Ferit Vojnikës, Dibra humbi një mjek të shquar, një intelektual të respektuar, një sportist të dalluar dhe një veprimtar të përkushtuar të çështjes kombëtare. Emri dhe vepra e tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së qytetit dhe të shqiptarëve në Maqedoni. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit