Bashkimi Demokratik për Integrim sot u përpoq sërish të prodhojë spektakël politik përmes manipulimeve, informatave të pasakta dhe përzierjes së qëllimshme të nocioneve nga dokumentacioni kadastral, me një qëllim të vetëm: ta largojë vëmendjen nga skandalet e veta pronësore, financiare dhe politike.
Komunikata e BDI-së është gënjeshtër dhe nuk përbën luftë kundër korrupsionit, por fshehje të korrupsionit të vet. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e partisë që për vite me radhë i shndërroi institucionet në shërbim privat, ndërsa sot përpiqet të luajë rolin e prokurorisë përmes komunikatave partiake. BDI manipulon me vetëdije opinionin publik.
Nga të dhënat kadastrale nxirren konstruksione politike. Përzihen nocione si fleta pronësore, bartësi i së drejtës, parcela, paraqitja për ndërtim dhe destinimi i objektit, me qëllim që te publiku të krijohet përshtypja për diçka që nuk është aspak e vërtetë.
Ata duan ta paraqesin një tokë prej 60 metrash katrorë, me pjesë ideale nga 30 metra katrorë, si 7 vikend-shtëpiza. Fantashkencë në regjinë e humbësve politikë.
E vërteta është e thjeshtë: BDI nuk ka argumente kundër VLEN-it, prandaj prodhon konstruksione. Kur VLEN flet për vende pune, ata flasin për afera të sajuara. Kur VLEN flet për agjendën evropiane, ata prodhojnë teatër. Kur VLEN hap procese për zgjidhjen e problemeve që BDI i la të pazgjidhura për vite me radhë, ata përpiqen ta helmojnë opinionin me gënjeshtra. Kur VLEN flet për institucione, BDI flet me akuza partiake.
VLEN nuk ka asnjë problem me kontrollet institucionale. Përkundrazi, çdo funksionar, çdo marrëdhënie pronësore dhe çdo dokument mund dhe duhet të kontrollohet nga organet kompetente, në përputhje me ligjin. Por BDI nuk ka të drejtë të japë leksione për transparencën. Jo për partinë që për vite me radhë kontrolloi buxhetet publike. Jo për partinë që la pas probleme të pazgjidhura, gjysmëzgjidhje dhe parregullsi institucionale. Jo për partinë që pushtetin e përdori për përfitime personale, biznese partiake dhe mbrojtjen e qarqeve të veta.
Jo për partinë që sot ikën nga përgjigjet për pasurinë e vet, për njerëzit e afërt, për aferat e veta dhe për mënyrën se si u krijuan pasuri, ndërkohë që qytetarët prisnin drejtësi, punë dhe dinjitet.
BDI sot nuk kërkon të vërtetën. BDI kërkon perde tymi. Kërkon një temë me të cilën do ta mbulojë frikën e vet nga llogaridhënia. Kërkon një skandal të rremë për të ikur nga pyetjet e vërteta.
Pyetja është nëse BDI ka guxim t’u përgjigjet pyetjeve që publiku ua ka bërë prej vitesh.
Kush u pasurua derisa BDI ishte në pushtet? Cilat biznese u rritën nën mbrojtje politike? Cilët funksionarë dhe persona të afërt krijuan pasuri ndërkohë që institucionet ishin vënë nën kontroll partiak? Të afërmit e Ali Ahmetit, familja e Bujar Osmanit apo rrethi i miqve të Blerim Bexhetit?
Pse BDI asnjëherë nuk hapi një proces të vërtetë të llogaridhënies së brendshme për kuadrot e veta? Pse sa herë që duhet të flitet për aferat e tyre, shpikin një histori të re për VLEN-in?
VLEN nuk do ta ndjekë histerinë e BDI-së.
Përgjigjja jonë është e qartë: le t’i kontrollojnë institucionet të gjitha ato që duhet të kontrollohen. Por njëkohësisht, nuk duhet lejuar që BDI ta keqpërdorë opinionin publik me konstruksione të rreme dhe montime politike.
Qytetarët tashmë e njohin mirë këtë teknikë: kur BDI është nën presion, BDI shpik skandal. Kur duhet të përgjigjet për veten, tregon me gisht nga të tjerët. Kur nuk ka rezultate, prodhon teatër.
Dallimi është i qartë. BDI prodhon gënjeshtra dhe spektakle. VLEN prodhon procedura, institucione dhe rezultate. BDI dëshiron që publiku të merret me konstruksionet e saj.
VLEN do të vazhdojë të merret me vende pune, agjendën evropiane, përfaqësimin e drejtë, zgjidhjen e problemeve reale dhe kthimin e institucioneve te qytetarët.
Dhe në fund, më e rëndësishmja:
BDI duket qartë se i frikësohet së vërtetës. Qytetarët do ta mësojnë të vërtetën për ta, shumë shpejt, për secilin prej tyre. Prandaj komunikata e sotme e BDI-së është dëshmi e nervozës së tyre.





