Mjeku shqiptar me prejardhje nga fshati Rramanli i Kumanovës, Samir Mirtezani, ka marrë pjesë në Kongresin Evropian të Urologjisë (ESUrolithiasis26) që u mbajt në Barcelonë të Spanjës, ku ka prezantuar para kolegëve evropianë dy ndërhyrje kirurgjikale komplekse të realizuara nga ai, njofton agjencia e lajmeve INA.
Mirtezani, i cili prej disa vitesh jeton dhe vepron në Gjermani, është aktiv dhe i vlerësuar në fushën e mjekësisë. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ai ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme profesionale, duke theksuar se prezantimi i rasteve kirurgjikale ishte një përvojë e vlefshme dhe një mundësi e mirë për shkëmbim përvojash me specialistë nga vende të ndryshme të Evropës.
“Përvojë e vlefshme dhe diskutime shumë frytdhënëse”, ka shkruar Mirtezani në postimin e tij nga Barcelona.
Pjesëmarrja dhe prezantimi i suksesshëm i mjekut nga Rramanlia në një forum të tillë ndërkombëtar përbën një arritje të rëndësishme profesionale dhe një promovim të denjë të ekspertizës shqiptare në mjekësinë evropiane. (INA)





