Ligji i ri për përfaqësim, Snopçe: S’ka mekanizma zbatimi

Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i dorëzuar në Kuvend dhe që pritet të shqyrtohet nga nesër, nuk përmban masa thelbësore për garantimin e zbatimit të tij, vlerësoi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe. Sipas tij, ky projektligj dallon ndjeshëm nga versioni që kishte propozuar ASH-ja.

“Ligji nuk ofron mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve në deklarimet e përkatësisë etnike të kandidatëve, pra ai nuk e eliminon kritikën kryesore që i bëhej balancuesit. Ligji përmend dispozita deklarative që flasin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat por nuk ofron garanci reale dhe as mekanizma efektiv që do të siguronin zbatimin praktik të këtyre dispozitave. Edhe komisioni i Venecias ka vërejtur se ligji nuk krijon institucione dhe mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar zbatimin në praktikë”, deklaroi Halil Snopçe – deputet i ASH-së.

Nga ana tjetër, nga VLEN thonë se është e vështirë të kuptohet pse po kontestohen mekanizmat që, sipas tyre, janë të përcaktuar qartë në tekstin e ligjit. Ata hedhin poshtë pretendimet se projektligji nuk ofron mekanizma për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Një nga risitë kryesore të këtij ligji është se vendos mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve me vetëdeklarimin etnik. Ligji garanton deklarimin e lirë të përkatësisë, por parasheh edhe kritere objektive dhe verifikim mbi bazën e të dhënave zyrtare në dokumentet personale. Në rast keqpërdorimi, kandidati refuzohet dhe nuk mund të aplikojë në konkurse për tre muaj. Sa i përket Komisionit të Venecias, vërejtjet dhe standardet evropiane janë marrë parasysh gjatë hartimit të zgjidhjes ligjore. Pikërisht kjo e bën ligjin juridikisht të qëndrueshëm”, thonë nga VLEN.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit