Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe pjesëtar i “Grupit të Kumanovës”, Sami Ukshini (i njohur si Komandant Sokoli), ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, duke e akuzuar atë për dështim në jetësimin e plotë dhe të sinqertë të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Përmes një reagimi nga burgu në Maqedoninë e Veriut – ku po vuan dënimin pas përleshjes së armatosur të majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë – Ukshini është shprehur se Ahmeti ka fshehur të vërtetën para shqiptarëve dhe se shkeljet e marrëveshjes kanë filluar që në hapat e tij të parë politikë në vitin 2002.
“E more Ali Ahmeti me gënjeshtra nuk shkohet askund,më mirë është dashur të ju tregosh shqiptarëve te vertetën tënde, se ti marrëveshjen e Ohrit e ke shkelur që në fillimin tënd politik në vitin 2002,si fillim pasaportën, preambulën në kushtetutë, simbolet shtetërore, statusin e luftarëve te UÇK-së, gjuhën 20% në kuadër të Republikës, gjuhën e 20% në përdorim lokal, bugjetin proporcional për kokë të banorit, punsimin proporcional në te gjitha institucionet shtetërore, regjistrimin e popullsisë që të evitohen informaliteti, një zonë zgjedhore, e tjera e tjera…!”, shkroi Sami Ukshini në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale. (INA)





