Rama shpjegon projektin në Zvërnec: Toka është private, shteti nuk ka çfarë të shesë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sqarime lidhur me projektin turistik në Zvërnec, i cili ka shkaktuar debate dhe protesta gjatë ditëve të fundit, duke theksuar se investimi ka nisur si interesim nga investitorët që në vitin 2023.

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se projekti fillimisht është prezantuar së bashku me atë të ishullit të Sazanit, por se situata juridike e dy zonave është e ndryshme.

Sipas tij, për Sazanin qeveria ka kërkuar që shteti shqiptar të jetë partner në projekt, pasi bëhet fjalë për pronë publike.

“Qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë se Sazani është tokë publike. Ne jemi të gatshëm të punojmë me investitorët, por duam që shteti shqiptar të jetë palë dhe ortak në atë projekt”, u shpreh Rama.

Ndërsa për Zvërnecin, kryeministri theksoi se investitorëve u është bërë e qartë që toka ku parashikohet zhvillimi i projektit është kryesisht pronë private.

“Për projektin e Zvërnecit, investitorëve u është thënë qartë se aty nuk kemi tokë shtetërore dhe se duhet të merren me pronarët e tokave”, deklaroi ai.

Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria po shet apo po fal prona shtetërore, duke argumentuar se në rastin e Zvërnecit shteti nuk disponon sipërfaqe të konsiderueshme që mund të përfshihen në projekt.

Kryeministri u ndal edhe te jehona ndërkombëtare që ka marrë investimi, duke thënë se interesi i mediave lidhet kryesisht me faktin se projekti është promovuar nga Jared Kushner.

Sipas Ramës, projekti është bërë objekt vëmendjeje në media ndërkombëtare, ndërsa ai akuzoi një pjesë të tyre se po përpiqen të gjejnë problematika përtej fakteve reale.

Ai theksoi se debati duhet të mbështetet mbi të dhënat konkrete të pronësisë dhe zhvillimit të projektit, duke ritheksuar se në rastin e Zvërnecit bëhet fjalë për toka private dhe jo për pasuri shtetërore që mund të shiten nga qeveria.

Rama duke dhënë sqarime tha se toka është e regjistruar prej vitesh në hipotekë dhe se procesi me pronarët privatë është çështje mes palëve, ku shteti nuk ka ndërhyrë.

Sipas tij, qeveria është e fokusuar kryesisht te projekti i Sazanit, ku ende nuk kanë përfunduar negociatat, pasi aty synohet që shteti shqiptar të jetë palë dhe përfitues direkt në zhvillim.

“Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë vitesh. Negociatat me pronarët janë një çështje mes palëve për të cilën nuk kemi pasur interes të hyjmë. Jemi të fokusuar te Sazani, për të cilin nuk kanë përfunduar negociatat, sepse ne duam interesin e shtetit shqiptar”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi gjithashtu se rrethimi i pronës në Zvërnec është bërë në bazë të lejes së zhvillimit, e cila nuk përbën leje ndërtimi, duke theksuar se kjo është e drejtë ligjore e çdo pronari që merr një leje të tillë.

“Rrethimi i pronës është bazuar te leja e zhvillimit, që nuk është leje ndërtimi. Është e drejtë e çdo pronari kur merr leje zhvillimi”, tha kryeministri.

Rama komentoi edhe debatet e krijuara për ngjarjen në zonë, duke thënë se për herë të parë ka dëgjuar pretendime për një “popullsi homogjene greke”, ndërsa kritikoi reagimet ndërkombëtare dhe interpretimet politike të incidentit.

Ai u shpreh se akti i dhunës është kryer nga një grup rojesh private dhe se etnizimi i çështjes nuk i shërben marrëdhënieve mes vendeve.

Kryeministri shtoi se pretendimet për projektin janë legjitime, por duhet të adresohen në rrugë ligjore dhe gjyqësore.

“Pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata”, tha Rama.

Duke iu referuar edhe rasteve të tjera të ngjashme, ai përmendi se zhvillimi i vendit nuk mund të pengohet nga konflikte të pazgjidhura pronësie dhe histori të trashëguara.

Rama theksoi se e drejta për protestë është e pacenueshme, por shtoi se qeveria ka mbrojtur këtë të drejtë edhe me koston e përplasjeve me forcat e rendit në disa raste.

Në fund, kryeministri deklaroi se sulmet ndaj projektit kanë edhe natyrë politike dhe konkurruese, duke shtuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

“Ky projekt e ngre Shqipërinë në një nivel tjetër”, u shpreh ai.

Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare ka rritur dhe rikonceptuar zonat e mbrojtura në vend, duke i përafruar ato me standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se projekti në Zvërnec nuk bie ndesh me këto kategori.

Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se gjatë viteve të fundit janë përfshirë në mbrojtje territore që më parë konsideroheshin të rrezikuara, duke përfshirë edhe zona si Pishë Poro–Narta.

Sipas tij, këto zona janë klasifikuar sipas standardeve të IUCN si kategori e pestë, që nënkupton peizazh të mbrojtur, ku lejohet bashkëjetesa me zhvillimin e kontrolluar.

“Ka qenë kjo shumicë parlamentare e PS që në mandatin e parë ka bërë futjen në mbrojtje të të gjitha territoreve të kërcënuara në 2017. Pishë Poro nuk është zonë e kategorisë 1 apo 2, por kategori e 5, peizazh i mbrojtur”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se zonat e mbrojtura nuk nënkuptojnë ndalim total të zhvillimit, por rregullim të tij sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare.

“Thelbi i zonave të mbrojtura është i linjëzuar me standardet më të larta. Kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se në Europë ekzistojnë shumë zona të ngjashme që janë kthyer në destinacione turistike, ndërsa theksoi se edhe legjislacioni shqiptar parashikon zhvillim të kontrolluar në këto territore.

Ai përmendi gjithashtu se me ndryshimet ligjore të vitit 2024 janë adresuar edhe raste të zhvillimeve informale në zona të mbrojtura, si Thethi, përmes një procesi rregullimi dhe legalizimi.

Duke iu referuar projektit në Zvërnec dhe zonës Pishë Poro–Nartë, Rama tha se nuk ka ndërhyrje që cenon Parkun Kombëtar të Vjosës.

“Pishë Poro–Nartë nuk po shkatërron Vjosën. Ky projekt nuk ka lidhje me Parkun Kombëtar të Vjosës, i cili ka mbrojtjen më të lartë dhe ku nuk mund të bëhen punime”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se çdo pretendim për shkelje ligjore duhet të trajtohet në mënyrë institucionale, ndërsa theksoi se rregullimet dhe vendimet e qeverisë synojnë balancimin mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit